Analizë, BALLKANI

Protestë kundër kontrollove të pushtetit ndaj “Logos-A”

Organizatorët shprehin përkrahje të plotë ndaj kësaj shtëpie botuese, duke e konsideruar atë jo vetëm si një shtëpi botuese, por edhe si kontribues i ardhmërisë së shoqërisë, kombit dhe shtetit

Besar Ademi  | 18.02.2017 - Përdıtësım : 19.02.2017
Protestë kundër kontrollove të pushtetit ndaj “Logos-A”  ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) – Lidhja e Nxënësve Shqiptar të Maqedonisë me mbështetje të disa subjekteve të tjera civile, në shenjë proteste u tubuan në Çarshinë e Vjetër të Shkupit për të shprehur revoltën e tyre kundër kontrollove të shumta të inspektoratit shtetëror ndaj Shtëpisë Botuese “Logos-A”, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizatorët dënojnë ashpër, siç thonë ata, “sulmet dhe aktet e padrejta të institucioneve shtetërore ndaj Shtëpisë Botuese Logos-A” dhe shprehin përkrahje të plotë ndaj kësaj shtëpie botuese, duke e konsideruar atë jo vetëm si një shtëpi botuese, por edhe si kontribuuese për të ardhmen e shoqërisë, kombit dhe shtetit.

Sipas tyre, veprimtaria 25 vjeçare e shtëpisë botuese është shembull jo vetëm në vend, por edhe në Ballkan dhe më gjerë për subjekte se si duhet admiruar shkronjën, leximin, librin, humanitetin, kujdesin, shkencën dhe rininë.

Kryetar i Lidhjes së Nxënësve Shqiptarë të Maqedonisë, Amar Rexhepi, tha se me këtë protestë duan të dëshmojnë se vlerat e rinisë janë edukimi, arsimi, kultura dhe libri, ndërsa kontribues i këtyre vlerave, siç theksoi ai, është “Logos-A”.

“Angazhimi dhe preokupimi i shtëpisë më të madhe botuese në trojet shqiptar ‘Logos-A’ janë mirëqenie, perspektiva, humaniteti, shkenca dhe ardhmëria. Është jo-njerëzore dhe jo-demokratike që institucionet shtetërore përmes mekanizmave të tyre të sulmojnë këtë djep të librit, atakojnë mikun e diturisë dhe humanizmit, pengojnë ngritjen e arsimit dhe librit. ‘Logos-A’ me punën e saj është shembull i përkryer ndaj arsimit, rinisë dhe librit, andaj goditjet ndaj saj janë goditje ndaj arsimit, librit dhe njerëzisë”, deklaroi Rexhepi.

Kryetare e Shoqatës Kulturore “Parimi”, Zinur Emin, kërkoi mbështetje ndaj Shtëpisë Botuese “Logos-A”, si dhe theksoi se një popull që dëshiron të jetë qeverisës i vetes, duhet të armatoset me forcën e dijes.

“Të dëmtosh një vatër të kulturës dhe dijes është një ndër krimet më të rënda që mund t’i bësh një shoqërie, e sidomos nëse ky dëmtim vjen për shkak të mospërputhjeve të mendimeve dhe ideve të disave”, tha Emin. 

Në lidhje me aktivitetet e inspektoratit shtetëror ndaj Shtëpisë Botuese “Logos-A”, kanë reaguar edhe një numër i madh i personaliteteve me peshë në të gjitha trojet shqiptare, duke i konsideruar veprime jo-demokratike, jo-civilizuese dhe jo-bashkëkohore. Sipas tyre, Logos-A ka qenë një frymë e kultivimit të vlerave të mirëfillta në promovimin dhe stimulimin e shkrimtarëve të rinj, si dhe avancimin dhe nxitjen e diturisë tek nxënësit, studentët dhe tek të gjitha shtresat tjera të popullatës.

Ndryshe, Shtëpia Botuese “Logos-A” është themeluar në tetor të vitit 1990 dhe me të drejtë e konsideron veten pionere të botimit të pavarur në ish-Jugosllavinë e atëhershme dhe në Maqedoninë e re. Kjo shtëpi botuese që nga themelimi i saj ka botuar libra në 1 mijë tituj të ndryshëm dhe mbi tetë milion kopje të librave.

Logos-A ka promovuar libra në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Shqipëri dhe rregullisht merr pjesë në panaire kombëtare, ballkanike, por edhe ndërkombëtare, siç janë panairet në Stamboll, Frankfurt, Bolonjë, Londër, Gjenevë, Sofje dhe Kajro, prej ku shumë herë është kthyer me shpërblime dhe mirënjohje. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın