BALLKANI

Maqedonia dhe Zvicra, memorandum për përkrahje të Kuvendit

Christina Marty Lang, nga ana e saj tha se projekti i ri, mbështetet në bashkëpunimin e suksesshëm që kanë patur Zvicra dhe Kuvendi i Maqedonisë, i cili filloi në vitin 2007

Admir Fazlagikj  | 20.02.2018 - Përdıtësım : 21.02.2018
Maqedonia dhe Zvicra, memorandum për përkrahje të Kuvendit Admir Fazlagikj/AA

Shkup

SHKUP (АА) – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi ka pritur në një takim në Shkup Zëvendës sekretaren Shtetërore për Punë të Jashtme të Zvicrës, Christina Marty Lang, me të cilën nënshkroi një memorandum bashkëpunimi mes Zvicrës dhe Maqedonisë, që ka të bëjë me një projekt të ri për përkrahjen e Kuvendit në vletë prej 11 milionë franga zvicerane, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit të delegacioneve të Parlamenteve të Maqedonisë dhe Zvicrës, Xhaferi dhe Lang mbajtën një konferencë për mediat ku shpalosën detajet e Memorandumit.

“Projekti i Programit për Përkrahjen e Parlamentit, ka për qëllim të sigurojë funksionim më efikas dhe gjithëpërfshirës të Kuvendit, respektivisht përforcim të tërësishëm institucional, avancim të funksionimit të tij ligjvënës dhe mbikëqyrës si dhe mundësim të qasjes përkatëse në punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për qytetarë, organizata civile, grupe të margjinalizuara, nëpërmjet transparencës dhe llogaridhënies së përforcuar”, tha Xhaferi i cili informoi se projekti në fjalë do të zgjasë në periudhën 1 korrik 2018- 31 dhjetor 2029.

Sipas tij, ky Memorandum do të jetë një përkrahje për Kuvendin për të sjellë ligje më cilësore.

Siç informoi Xhaferi, sipas dinamikës së planifikuar, faza përgatitore e projektit është 1 korriku 2018 deri më 30 prill 2019, dhe i njëjti përfshin një donacion prej 350 mijë franga zvicerane, ndërsa në 11.5 vitet e ardhshme, totali i donacionit është 11 milionë franga zvicerane. 

"Nënshkrimi i këtij memorandumi është edhe një vërtetim për përpjekjet e udhëheqësisë së Kuvendit në drejtim të përforcimit të rolit dhe kapaciteteve të tij, përparimit të sundimit të ligjit dhe afrimit me standardet dhe punën e Parlamenteve të shteteve të BE-së”, tha Xhaferi.

Zëvendës sekretarja Shtetërore për Punë të Jashtme të Zvicrës, Christina Marty Lang, nga ana e saj tha se projekti i ri, mbështetet në bashkëpunimin e suksesshëm që kanë patur Zvicra dhe Kuvendi i Maqedonisë, i cili filloi në vitin 2007.

“Me ndihmën zvicerane, instituti parlamentar u etablua si një burim i paanshëm i analizave për deputetët e të gjitha partive. Njëjtë sikur ka qenë bashkëpunimi i deritanishëm, dëshiroj që projekti i ri të kontribuojë për përforcimin e kapaciteteve të Kuvendit duke siguruar se do të jetë përfaqësues i nevojave të qytetarit”, tha Lang. 

Zvicra përkrah procesin transitor të Maqedonisë që nga viti 1992. Ky bashkëpunim bazohet në traditën zvicerane për solidarizim dhe reflekton rëndësinë që Zvicra ia kushton përparimit të Ballkanit Perëndimor.

Nga aspekti dypalësh me Maqedoninë, në periudhën 2017-2020 Zvicra ka një angazhim financiar me 69 milionë euro.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.