BALLKANI

Meta deklaratë rreth kërkesës për negociatat Shqipëri-Greqi

Pas "kërkesës për autorizim negociatash me palën greke” nga MEPJ, Presidenca e Shqipërisë publikoi sot letrën që Meta i ka dërguar Bushatit, lidhur me kërkesën në fjalë, ku Meta nuk e autorizon plotfuqishmërinë për negociatat

Saimir Alija  | 20.02.2018 - Përdıtësım : 21.02.2018
Meta deklaratë rreth kërkesës për negociatat Shqipëri-Greqi

Tiranë

TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat tha se për negociatat Shqipëri-Greqi rreth çështjeve të hapura mes dy vendeve duhet të ketë transparencë të plotë nga të gjitha institucionet e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas "kërkesës për autorizim negociatash me palën greke” nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë për caktimin e kufirit detar me Greqinë dhe çështje të tjera, Presidenca e Shqipërisë para konferencës publikoi sot letrën që Meta i ka dërguar kryediplomatit të Shqipërisë, Ditmir Bushati, lidhur me kërkesën në fjalë, ku Meta nuk e autorizon plotfuqishmërinë për negociatat.

"Duke nënvizuar rëndësinë e jashtëzakonshme që i kushtoj forcimit të marrëdhënieve dhe rritjes së frymës së mirëbesimit me gjithë fqinjët në përgjithësi dhe me Republikën e Greqisë në veçanti jo vetëm në detyrën e presidentit, por edhe në vijimësi, dua të theksoj mbështetjen dhe angazhimin tim për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme dhe përfundimtare të kësaj çështjeje të rëndësishme. Për të arritur këtë objektiv është e domosdoshme të ketë transparencë të plotë të të gjithë procesit nga të gjitha institucionet e shtetit, në respekt të Kushtetutës së Shqipërisë dhe vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese", tha Meta gjatë konferencës në selinë e Presidencës së Shqiëprisë.

Nga ana tjetër, në letrën drejtuar Bushatit, Meta thekson se kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet autorizim për plotfuqi.

"Nuk është përcaktuar qartë objekti i kërkimit për negocim për të cilin i kërkohet presidentit të Republikës (së Shqipërisë) autorizim për plotfuqi. Objekti i saktë i tagrit të përfaqësimit që do të delegohet duhet të jetë i specifikuar në këtë akt që presidenti i Republikës(së Shqipërisë) duhet të lëshojë, dhe mbi të cilin grupi negociator i mandatuar duhet të veprojë gjatë negociatave. Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek", thuhet në letrën e Metës drejtuar ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqiëprisë, Ditmir Bushati.

- Reagon MEPJ

Nga ana tjetër, lidhur me qëndrimin e Metës ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.

Në një deklaratë për shtyp ky institucion thekson: "Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po shqyrton letrën e presidentit të Republikës(së Shqipërisë), në përgjigje të kërkesës së dërguar prej saj, për lëshimin e autorizimit për fillimin e negociatave me palën greke për delimitimin e hapësirave detare mes dy vendeve. Çështjeve të ngritura nga presidenti i Republikës(së Shqipërisë), Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’u përgjigjet në rrugë institucionale.".

Sipas MEPJ, procesi i nisur me Greqinë është kompleks, ndaj "kërkon qetësi, maturi, institucionalizëm dhe jo projektimin e një anormaliteti që nuk ekziston."

Kujtojmë se mes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe homologut të tij të Greqisë, Nikos Kotzias janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh në muajt e fundit, mbi çështjet e hapura të karakterit historik, aktual dhe për perspektivën e marrëdhënieve mes dy vendeve, me fokus të veçantë arritjen e marrëveshjes për caktimin e kufirit detar mes dy vendeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın