BALLKANI

Mungesa e perspektivës zbraz veriun e Malit të Zi, largohen banorët e Plavës dhe Gucisë

Ndërsa nuk ka shifra të sakta për numrin e banorëve të cilët e kanë braktisur Veriun, të dhënat e para flasin se mijëra banorë shpërngulen në vit

Adel Ömeragiç  | 19.02.2017 - Përdıtësım : 20.02.2017
Mungesa e perspektivës zbraz veriun e Malit të Zi, largohen banorët e Plavës dhe Gucisë

Podgoricë

PODGORICË (AA) - Qytetet në veriun e Malit të Zi gjithnjë e më shumë po zbrazen, ndërsa trendi i shpërnguljes së banorëve nga 12 komunat të vendosura në veriun e vendit ka vazhduar edhe përgjatë vitit 2016.

Ndërsa nuk ka shifra të sakta për numrin e banorëve të cilët e kanë braktisur Veriun, të dhënat e para flasin se mijëra banorë shpërngulen në vit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Gjendja e vështirë ekonomike, papunësia, mungesa e investimeve të mëdha, janë vetëm disa nga arsyet që ndikojnë tek qytetarët e veriut të cilët për çdo ditë largohen nga shtëpitë e tyre duke kërkuar strehë në Podgoricë dhe në komunat bregdetare, ndërkohë që një numër i madh i atyre shkojnë përtej kufijve të Malit të Zi.

Vendet më të braktisura janë Bjello Polje, Plevlë, Beran, Plavë dhe Guci. Në bazë të të dhënave të organizatave të cilat bëjnë evidentimin e personave të larguar në bazë të adresave të ndërruara, në vitin 2016, 1088 banorë kanë braktisur komunat në veriun e Malit të Zi.

Numri më i madh i banorëve shkon në Podgoricë që është qendra administrative e Malit të Zi ku vetëm gjatë vitit 2016 kanë ardhur 1854 banorë të ri, por në të njëjtën kohë janë shpërngulur 864 banorë të tij.

Banorët e veriut të Malit të Zi parapëlqejnë edhe komunat bregdetare Tivat, Budvë dhe Tivar.

Sipas të dhënave të fundit, në Mal të Zi ka pak mbi 50.000 perona të papunë, nga të cilët numri më i madh është në veriun e vendit. Sipas hulumtimeve, shumica e njerëzve të varfër në vend jetojnë pikërisht në këtë rajon.

Banorët e Plavës dhe Gucisë shpërngulen në Amerikë

Komunat Plavë dhe Guci të cilat bashkë numërojnë rreth 10.000 banorë, edhe në të kaluarën janë përballur me largim të banorëve, por ndryshe nga atëherë kur arsyet kanë qenë konfliktet dhe luftërat, sot banorët braktisin vendlindjen në pamundësi për të gjetur punë atje. 

Qytetarët e këtyre komunave shkojnë në Podgoricë dhe në jug të Malit të Zi, por edhe për Amerikë, atje ku jeton një diasporë e konsiderueshme me prejardhje nga Plava dhe Gucia. Vetëm në tre muajt e fundit, më shumë se njëqind të rinj janë nisur për në Amerikë.

Kryetari i komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviç, për AA konfirmon seriozitetin e situatës me shpërnguljet, por siç shprehet, Enti i Malit të Zi për Statistika regjistron vetëm emigrimin brenda shtetit për të shtuar se numri i atyre që braktisin vatrat e tyre është shumë më i madh. 

Besohet se shteti i ka kthyer shpinën Veriut. “Arsyeja kryesore për shpërnguljet nga Plava është mungesa e perspektivës dhe pamundësia për tu punësuar. Akoma më e dhimbshme është bllokada që hasim nga drejtoritë lokale për tu hapur vende të reja të punës më çka do të ndalnim largimin e të rinjve. Përsëris, problemi kryesor është mungesa e zhvillimit dhe mosinteresimi i shtetit dhe i të gjithë atyre të cilët do të duhet të ndihmojnë në zhvillimin e Plavës. Unë nuk shoh ndonjë projekt nga Qeveria, duket se nuk është e interesuar që ata njerëz të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Nuk ka indikacione se qeveria do të krijojë vende pune, ndërsa e gjitha që bëhet është nga pushtetit lokal, i cili përballet me pengesa të mëdha me ekzekutivin në nivel qendror”, thotë Shahmanoviç. 

Vitin e kaluar azil në Gjermani kanë kërkuar 1.630 qytetarë

Popullsia e veriut, përveç se shkon në Podgoricë në kërkim të bukës së gojës, ajo në masë të madhe largohet edhe drejt Gjermanisë. Kjo është konfirmuar nga Almer Mekiç nga OJQ "Euromost", e cila ndjek lëvizjen e popullsisë nga veriu i vendit.

“Në bazë të të dhënave të cilat i kemi marrë nga zyra Federale për Emigracion dhe Refugjatë, vitin 2016-të, 1.630 qytetarë kanë parashtruar kërkesë për azil në Gjermani, pavarësisht se Mali i Zi është shpallur shtet i sigurt për jetesë. Gjithashtu 1.865 qytetarë të Malit të Zi të cilët në vitin 2015 kanë kërkuar azil në Gjermani janë kthyer vitin e kaluar ndërsa Gjermani ka deportuar 142”, thotë Mekiç.

Më shumë shtëpi se banorë

Sociologu Srxhan Vukadinoviç thotë se në Mal të Zi është ndezur alarmi i kuq nga shkaku se janë mbyllur fabrikat të cilat kanë lënë pa punë shumë punëtorë. Ai thekson se veriu i vendit rrezikohet të pësojë fatin e fshatrave të Malit të Zi të cilat kanë mbetur pa banorë.

“Në disa qytete do të kemi më shumë shtëpi se sa banorë. Të rinjtë po largohen për shkak se ata nuk shohin një të ardhme. Që banorët të mbeten në Veri nevojiten shkolla, dhe jo të njëjtat të mbyllen siç është rasti me mbylljen e fakultetit të makinerisë në Plevle”, thotë ai.

Sipas vlerësimeve të Institutit Demografik Amerikan, në vitin 2050-të, Mali i Zi do të ketë 10 -11 për qind më pak banorë. Kjo do të thotë se Mali i Zi do të ketë 60 000 banorë më pak. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın