BALLKANI

Nëntogeri i FSK-së Rilind Idrizi merr çmimin "Studenti më i mirë ndërkombëtar"

Nëntogeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) Rilind Idrizi ka marrë çmimin "Studenti më i mirë ndërkombëtar" në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar

Sibel Vezaj  | 20.07.2017 - Përdıtësım : 21.07.2017
Nëntogeri i FSK-së Rilind Idrizi merr çmimin "Studenti më i mirë ndërkombëtar" Burimi: FSK

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Nëntogeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) Rilind Idrizi ka marrë çmimin "Studenti më i mirë ndërkombëtar" në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim për media nga FSK thuhet se pjesë e ceremonisë së diplomimit të kadetëve-oficerëve të mbajtur në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore në Cranwell të Mbretërisë së Bashkuar ishin edhe dy pjesëtarë të FSK-së, nëntoger Rilind Idrizi dhe tetari Feti Pronaj, të cilët kanë përfunduar me sukses studimet ushtarake 7 mujore në këtë kolegj.

“Nëntogeri Rilind Idrizi ka treguar performancë të jashtëzakonshme në fushën e studimeve ushtarake, akademike dhe praktike, dhe si rezultat i këtyre arritjeve ka marrë çmimin e studentit më të mirë ndërkombëtar. Nëntogeri Idrizi, këtë çmim e ka pranuar nga oficeri komandues i këtij kolegji-Marshall Steve Rochell”, bëhet e ditur nga FSK.

Ndërkaq gjatë kësaj ceremonie i pranishëm ishte edhe komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Rrahman Rama i cili pas përfundimit të ceremonisë së diplomimit ka shprehur se ndihet i kënaqur me performancën e dy pjesëtarëve të FSK-së. 

Duke vënë në dukje se nëntoger Idrizi dhe tetari Pronaj janë pjesëtarët e parë të FSK-së që diplomuan në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore, Rama ka thënë se “Suksesi i kadetëve dhe oficerëve tanë në Akademitë më prestigjioze në botë, është edhe një dëshmi se FSK-ja po ndërtohet me standardet më të larta profesionale të nivelit të shteteve të NATO-s”.

Ndërkaq në një njoftim nga qeveria britanike thuhet se zëvendës Shefi i Misionit, Tom Adams, duke uruar Idrizin për këtë arritje tha se për këtë sukses duhet të jetë krenare edhe Kosova. Adams po ashtu u shpreh se Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe për mbështetjen e Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj. 

Me këtë rast edhe nëntogeri Rilind Idrizi tha se ka mësuar mësime dhe shkathtësi të paçmueshme, të cilat sipas tij do ta ndihmojnë në zhvillimin e tij personal dhe profesional.

“Jam krenar për arritjet e mia në këtë kurs dhe për mundësinë për të përfaqësuar vendin tim dhe FSK-në në një pozicion pozitiv. Unë synoj ta kthej këtë eksperiencë në FSK dhe ta zbatoj atë në më të mirën e aftësive të mia", tha nëntogeri Idrizi.

Kurse tetari Pronaj tha se kjo ka qenë një trajnim tepër i mirë për të mësuar dhe zhvilluar aftësitë e tij. Ai shtoi se ky kurs ka ofruar një ambient të përsosur për të nxitur miqësinë dhe marrëdhëniet profesionale me oficerët e rinj të Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.