BALLKANI

Veseli takim me zyrtarin amerikan Hoyt Brian Yee

Veseli dhe Hoyt Yee, diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për raportet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Sibel Vezaj  | 28.03.2017 - Përdıtësım : 29.03.2017
Veseli takim me zyrtarin amerikan Hoyt Brian Yee ( Erkin Keçi/AA )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane dhe euroaziatike, Hoyt Brian Yee, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Kuvendi i Kosovës thuhet se gjatë këtij takimi, i cili ka qenë i mbyllur për media, Veseli dhe Hoyt Yee, diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe për raportet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, "të konsoliduara në një miqësi dhe marrëdhënie specifike në shumë sfera."

Gjatë takimit Hoyt Yee e siguroi kryetarin Veseli për mbështetje të fuqishme të SHBA-së për Kosovën në rrugën e integrimeve euro-atlantike, duke shprehur mbështetjen e parezervë amerikane për Kosovën. Në të njëjtën kohë, Yee, sipas njoftimit, kërkoi që politikat e zhvillimit ekonomik, rritjes së transparencës, qeverisjes së mirë, si dhe luftës kundër korrupsionit, të jenë prioritete të angazhimit të institucioneve të Kosovës.

Në këtë takim, Yee dhe Veseli, diskutuan edhe për përgjegjësitë që ka Kosova si shtet i pavarur dhe sovran, në raport me qytetarët e saj, por edhe në raport me fqinjët.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës e falënderoi zyrtarin e lartë amerikan për "mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke e konsideruar atë vendimtare për shumë procese të cilat e kanë përcjellë Kosovën në kohë të ndryshme."

"Veseli e njohu Yee për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për të çuar përpara procesin e integrimit evropian, ndërsa në rrafshin e brendshëm, për t’i dhënë hov të ri zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve", theksohet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın