Bota

Abadi: Iraku do të forcojë masat kundër përgjegjësve për referendumin

Abadi vizitoi Komandën për operacione të përbashkëta në Bagdad, ndërsa me këtë rast u përqendrua në referendumin jokushtetues në veri të Irakut që u mbajt dje më 25 shtator

Haydar Hadi  | 26.09.2017 - Përdıtësım : 26.09.2017
Abadi: Iraku do të forcojë masat kundër përgjegjësve për referendumin

Bagdad

BAGDAD (AA) – Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi deklaroi se qeveria e tij do të forcojë masat kundër zyrtarëve që janë përgjegjës për mbajtjen e referendumit kontestues në Administratën Rajonale Kurde në veri të Irakut, raporton Anadolu Agency (AA).

Abadi vizitoi Komandën për operacione të përbashkëta në Bagdad, ndërsa me këtë rast u përqendrua në referendumin jokushtetues në veri të Irakut që u mbajt dje më 25 shtator.

“Mbajtja e referendumit ishte rrezik i madh. U mbajt edhe përkundër vendimit të Gjykatës Federale. Referendumi është jokushtetues dhe nuk do të njohim rezultatet”, tha Abadi.

Ai shtoi se referendumi kontestues u mbajt pa kurrfarë mbështetje ndërkombëtare.

“Ajo që po ashtu është interesante është se gjatë referendumit nuk u angazhuan vëzhgues. Ata që sollën vendimin për referendum, vet i shpallën rezultatet. Ne për ato rezultate nuk do të flasim, nuk do të debatojmë për to e as që do t’i pranojmë”, nënvizoi Abadi.

Kryeministri irakian po ashtu tha se qeveria qendrore do të bëjë hapa të reja kur është në pyetje referendumi jokushtetues.

“Për fat të keq, referendumi ka ngritur ndjenjat që kanë themelet e veta sektare dhe etnike. Përkundër kësaj, ne nuk do të heqim dorë nga sigurimi i banorëve tanë kurdë, ndërsa përgjegjësit për këtë referendum do të japin llogari. Do të forcojmë masat ndaj tyre”, tha Abadi, duke shtuar se qeveria qendrore do të shfrytëzojë të gjitha autorizimet e saj federale për të vendosur siguri ndaj qytetarët e Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut.

Presidenti i Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut, Mesut Barzani më 7 qershor njoftoi se më 25 shtator do të mbahet referendumi që do të përfshijë Kirkukun dhe rajonet tjera kontestuese.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Turqia, Britania e Madhe, Irani dhe qeveria qendore irakiane i bënë thirrje Erbilit që të heqë dorë nga referendumi jokushtetues, por ai megjithatë u mbajt.

Turqia të hënën njoftoi se rezultatet e referendumit kurd do t’i konsiderojë “jolegale”, ndërsa qeveria qendrore irakiane kërcënoi se do të intervenojë ushtarakisht nëse referendumi shpie drejt dhunës.

Lideri i Administratës Rajonale Kurde, Mesut Barzani tha se referendumi nuk do të çojë automatikisht deri te shpallja e pavarësisë, porse kjo do të çojë drejt negociatave të ardhshme me Bagdadin.







Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın