Ekonomi

Amazon gjobitet me 1.2 milionë dollarë për shitje të pesticideve ilegale

EPA theksoi se Amazon ka kryer pothuajse 4.000 shkelje të ligjeve që ndalojnë shitjen e disa pesticideve të caktuara në SHBA

Barry Eitel  | 16.02.2018 - Përdıtësım : 17.02.2018
Amazon gjobitet me 1.2 milionë dollarë për shitje të pesticideve ilegale

Washington

WASHINGTON (AA) - Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) në SHBA njoftoi të enjten se do të gjobisë kompaninë e tregtisë elektronike Amazon me 1.2 milionë dollarë për lejim të bizneseve të palës së tretë për të shitur pesticide ilegale në platformën e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

EPA theksoi se Amazon ka kryer pothuajse 4.000 shkelje të ligjeve që ndalojnë shitjen e disa pesticideve të caktuara në SHBA. 

Amazon ka rënë dakord të heqë çdo pesticid ilegal që është në shitje në faqen e saj të internetit dhe ka premtuar të monitorojë shitësit me rigorozitet më të madh.

"Ky dakordim do të reduktojë ndjeshëm shitjen online të pesticideve ilegale, të cilat paraqesin kërcënime serioze për shëndetin publik në komunitetet në të gjithë Amerikën", ka thënë Chris Hladick, një administrator i EPA-së.

"Amazon është zotuar të monitorojë nga afër dhe të heqë pesticidet ilegale nga faqja e saj e internetit ndërsa EPA do të vazhdojë të punojë shumë për të siguruar që këto produkte të dëmshme të mos arrijnë kurrë në treg", ka shtuar ai.

Autoritetet federale filluan hetim ndaj Amazonit në vitin 2014 për shkelje të Aktit Federal të Insekticideve, Rodenticidëve dhe Fungicidëve që ndalon pesticide të caktuara. EPA kishte njoftuar se shumë nga pesticidet e ndaluara të përfshira në hetim ishin të zakonshme në Azi.

Kompania kishte rënë dakord të kontaktohen klientët që kanë blerë pesticide ilegale në mes viteve 2013 dhe 2016. Amazon ua kishte kthyer paratë klientëve, gjithsej 130 mijë dollarë dhe u kishte kërkuar t'i shkatërronin produktet.

"Përputhshmëria rregullative është një përparësi kryesore në Amazon", ka thënë kompania në një deklaratë. 

"Shitësve të palëve të treta u kërkohet të jenë në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret relevante kur listojnë artikujt për shitje në Amazon. Kur shitësit nuk përputhen me kushtet tona, ne punojmë shpejtë për të ndërmarrë veprime në emër të klientëve", thuhej nga Amazon.






Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın