Ekonomi

Hapet “Klubi i Biznesit Frankofon” në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, gjatë fjalimit të tij në këtë aktivitet tha se hapja e këtij klubi e bën Kosovën pjesë të Frankofonisë dhe se kjo është një mundësi për thellimin e bashkëpunimit

Figen Shaban  | 23.03.2017 - Përdıtësım : 24.03.2017
Hapet “Klubi i Biznesit Frankofon” në Kosovë ( Erkin Keçi/AA )

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Nën organizimin e Ambasadës së Francës në Kosovë, sot u prezantua Klubi i Biznesit Frankofon në Prishtinë, i cili do të mundësojë intensifikimin e lidhjeve ekonomike në mes vendeve frankofone dhe Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fjalimit të tij në këtë aktivitet tha se hapja e këtij klubi e bën Kosovën pjesë të Frankofonisë dhe se kjo është një mundësi për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha sektorët me vendet anëtare të këtij forumi të rëndësishëm botëror. Presidenti Thaçi theksoi se si ne çdo shtet në zhvillim edhe në Kosovë është investuar shumë në infrastrukturën teknike dhe ligjore, duke krijuar lehtësira për investitorët potencialë dhe duke ndikuar në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm të të bërit biznes.

“Gjithë ky investim është vlerësuar në mënyrë afirmative edhe nga Banka Botërore. Mirënjohje për të arriturat e Kosovës është edhe pranimi i Kosovës si vend kandidat për MCC të Kongresit Amerikan, që mat në mënyrë strikte indikatorët që janë vital për zhvillimin e ekonomisë. Por, mirënjohje është edhe hapja e këtij klubi që po bëni ju sot këtu”, deklaroi Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalimin e tij tha se përmes këtij mekanizmi që po prezantohet do të hulumtohen mundësitë e bashkëpunimit ekonomik të Kosovës me vendet anëtare të frankofonisë. Ai po ashtu ftoi investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë, sepse sipas tij, ky vend ofron perspektivë dhe mundësi të shumta për investime.

"Jemi duke punuar në thjeshtimin e procedurave ligjore, eliminimin e barrierave burokratike, dhe funksionalizimin e ligjeve që stimulojnë sipërmarrësit e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe ligjet që garantojnë konkurrencën e lirë. Jemi të vendosur të mos tolerojmë asnjë faktor që pengon zhvillimin ekonomik të vendit, ngase prej këtij zhvillimi varet çdo proces tjetër që ka të bëjë me fuqizimin e shtetit ligjor, finalizimin e demokratizimit të shoqërisë, dhe ecjen përpara në integrimet euro-atlantike", tha Veseli.

Kurse Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa gjatë fjalimit të tij vlerësoj rolin e asociacioneve në zhvillimin e qëndrueshëm, në prosperitetin e përbashkët ekonomik dhe social të vendit dhe tha se: “Ju siguroj se të gjitha politikat ekonomike dhe politikat fiskale i kemi ndërtuar me një partneritet të plotë me këto asociacione të biznesit. Unë gëzohem shumë që do të ketë një fuqizim të këtij zëri dhe këtij bashkëpunimi edhe në bizneset frankofone në Kosovë."

Ndërkaq, Roger Forneris, bashkëdrejtuesi i Klubit afarist frankofon në Kosovë, duke i përmendura fushat e bashkëpunimit, tha se ato do të jenë shumë produktive në mes Kosovës dhe vendeve frankofone.

“Do të bashkëpunojmë në fushën e industrisë, zhvillimit të transporteve ajrore dhe tokësore, në financa, trajnim profesional, agronomi, transformim të pemëve dhe perimeve, si dhe në eksportimin e tyre. Do të bashkëpunojmë në menaxhimin e resurseve natyrore dhe në gastronomi. Do të kontribuojmë në zhvillimin e shëndetësisë në spitale, klinika dhe performancën e intervenimeve kirurgjikë”, tha Foneris.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe ambasadori i Republikës së Francës, Didier Chabert, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Hykmete Bajrami, ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, bashkëdrejtues i Klubit Afarist, Rrahim Pacolli dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.