Kulturë

Shkup, fillon Java e Filmit Iranian

Në hapjen e javës së filmave iraniane e zhvilluar në Kinotekën e Maqedonisë, morën pjesë ambasadori i Republikës Islame të Iranit në Shkup, Hossain Karimi, përfaqësues të ambasadave të ndryshme në vend, si dhe artdashës

Dzihat Aliju  | 22.01.2018 - Përdıtësım : 23.01.2018
Shkup, fillon Java e Filmit Iranian Foto: Vedat Abdul / AA

Shkup

SHKUP (AA) – Në organizimin e Ambasadës së Republikës Islame të Iranit, sot në Shkup, ka filluar Java e Filmit Iranian, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e javës së filmave iraniane e zhvilluar në Kinotekën e Maqedonisë, morën pjesë ambasadori i Republikës Islame të Iranit në Shkup, Hossain Karimi, përfaqësues të ambasadave të ndryshme në vend, si dhe artdashës.

Ambasadori i Republikës Islame të Iranit në Shkup, Karimi, në një deklaratë për AA tha se, ashtu si në vitet e kaluara edhe këtë vit kanë vendosur të organizojnë javën e filmit iranian.

Ai duke shprehur besimin që rrënjët historike dhe kulturore midis popullit maqedonas dhe atij iranian janë shumë të ngjashme, tha se populli iranian është i interesuar për kulturën dhe civilizim maqedonas, ndërsa populli në Maqedoni është i interesuar për kulturën dhe artin iranian.

Karimi më tej theksoi se mënyra më e mirë për të afruar kulturat dhe popujt e dy vendeve është ekranizimi i filmave dhe shfrytëzimi i artit të kinemasë. Ambasadori iranian tregoi se vendi i tij gjatë viteve të fundit ka arritur progres shumë të madh në artin e kinematografisë.

"Si nga aspekti teknik i realizimit ashtu edhe nga përmbajtja e filmave, gjithashtu edhe nga mënyra e realizimit të filmave kinemaja iraniane ka arritur që botës t’i prezantojë një stil të ri të film bërjes, stil i cili është mirëpritur nga filmdashësit në mbarë botën. Shpresojmë që me organizimin e javës së filmit, edhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë të kenë mundësinë që të njihen sa më shumë me filmin iranian dhe të përfitojnë sa më shumë nga këto filma", u shpreh Karimi.

Ai bëri të ditur se Sektori për Kulturë pranë Ambasadës së Republikës Islame të Iranit ka arritur që të mbledh disa filma gjatë kësaj jave. "Filmat janë nga regjisorë nga brenda Iranit ashtu edhe nga vende të ndryshme të botës, janë regjisorë të njohur dhe veprat e të cilëve janë të njohura për opinionin jo vetëm në Iran, por edhe jashtë Iranit", tha ai.

Karimi shtoi se në përzgjedhjen e temave të filmave është bërë përpjekje që të përfshihen tema kulturore, emocionale, si dhe marrëdhëniet midis njerëzve.

Filmdashësit në kuadër të kësaj jave duke filluar prej sot deri më 27 janar do të kenë mundësinë që të shikojnë filma të ndryshme të kinematografisë iraniane.

Filmat që do të shfaqen janë këto: “Shija e ëmbël e imagjinatës” në regji të Kamal Tabrizi, “Dikur, dashuri dhe tradhti” në regji të Davoud Bidel, “Pishina për fotografim” i Mazair Miri, “Tërësisht vetëm” në regji të Ehsan Abdipour, “Kub të sheqerit” i Reza Mirkarimi, si dhe “Aq afër, aq larg” i të njëjtit regjisor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın