Politikë

Në nëntor mbledhje e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë

Bushati dhe Pacolli pas takimit mes tyre kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për mediat, ku janë fokusuar në forcimin e bashkëpunimit dhe misionet e përbashkëta diplomatike

Fatjon Cuka  | 14.09.2017 - Përdıtësım : 15.09.2017
Në nëntor mbledhje e përbashkët qeveritare Shqipëri-Kosovë Fotoreporter: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka vizituar sot Shqipërinë, ku është takuar me drejtues të lartë të vendit, si Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, raporton Anadolu Agency (AA). 

Rama në një postim në Twitter ka shkruar se "Pas një takimi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës u dakorduam për mbledhjen e dy qeverive, në Korçë më 27 nëntor dhe 28 (nëntor) në Vlorë për flamurin." 

Ndërsa Bushati dhe Pacolli pas takimit mes tyre kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për mediat, ku kanë fokusuar forcimin e bashkëpunimit, misionet e përbashkëta diplomatike, etj. 

Kryediplomati i Shqipërisë theksoi se me homologun e Kosovës kanë diskutuar për programet e dy qeverive. 

"Kosova ka një rol të posaçëm strategjik dhe ne dëshirojmë që ta thellojmë këtë marrëdhënie, jo thjeshtë me mbajtjen e mbledhjes së radhës të përbashkët ndërmjet dy qeverive tona, mundësisht brenda fundit të këtij viti, por edhe për një koordinim më të mirë të përpjekjeve të përbashkëta, për eliminimin e barrierave që ekzistojnë sot në tregti. Kemi diskutuar edhe për sa i përket nevojës për racionalizmin e burimeve tona njerëzore në përfaqësimin diplomatik dhe konsullor. Ka tre praktika të mira deri tani, Milano, Bari dhe Mynih dhe është ambicia jonë e përbashkët për të zgjeruar hartën e bashkëveprimit politik dhe diplomatik", theksoi Bushati. 

Pacolli u shpreh se ka marrë mbështetjen e Shqipërisë për qasje të përbashkët për sfidat që kanë dy vendet.

"Ne duhet të kërkojmë llogari nga stafi ynë diplomatik, nga njerëzit që shërbejnë në këtë detyrë shumë të rëndësishme. Pata mbështetjen e fuqishme që ne të kthejmë diplomacinë tonë në diplomaci proaktive. Jemi të gatshëm të kemi qasje të përbashkëta për sfidat e ardhshme, dhe sfidat janë të mëdha për të dy vendet. Në këtë drejtim kam marrë mbështetje e plotë nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Në të ardhmen besoj se do të funksionojmë së bashku", tha kryediplomati i Kosovës. 

Ministri i Jashtëm i Kosovës theksoi ndër të tjera se gjatë takimit është biseduar që sa më shpejt të vazhdojë tradita e misioneve diplomatike të përbashkëta. "Sigurisht do të kemi përfaqësi të përbashkëta edhe në Danimarkë, Hamburg, por folëm edhe për Turqinë në të ardhmen. Do të kemi bashkëpunim shumë efikas dhe dinamik dhe do të riaktivizojmë takimet tona qeveritare", theksoi Pacolli. 

Ndërkohë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës është takuar sot edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın