Admir Fazlagikj
17 Nëntor 2016•Përditësim: 18 Nëntor 2016
SHKUP (AA) – Shoqata e agro-ekonomistëve të Republikës së Maqedonisë dhe Qendra hulumtuese për politika publike nga Beogradi, Serbi, për herë të parë iniciojnë vendosje të Rrjetit të hulumtuesve nga sfera e zhvillimit rural, raporton Anadolu Agency (AA).
Mbledhja e parë e Rrjetit të hulumtuesve në sferën e zhvillimit rural të rajonit të Evropës Juglindore organizohet në kuadër të forumit dyditor për zhvillim rural që mbahet në Shkup ku marrin pjesë përfaqësues të vendeve të Evropës Juglindore.
Qëllimi i Rrjetit është rritja e bashkëpunimit mes hulumtuesve nga rajoni i Evropës Juglindore, shkëmbimi i përvojave, njohurive dhe qasjet më të reja hulumtuese të cilat do të kontribuojnë drejt miratimit të rekomandimeve dhe krijimit të politikave publike të bazuara në hulumtime adekuate metedologjike dhe empirike dhe rezultatet e tyre.
“Shoqata e agro-ekonomistëve të Republikës së Maqedonisë së bashku me kolegët tanë nga Serbia për herë të parë organizojmë ngjarje me qëllim që të vendoset rrjet i hulumtuesve nga sfera e zhvillimit rural në Evropën Juglindore. Kemi mysafirë nga të dyja vendet e rajonit”, deklaroi Ana Kotevska nga Fakulteti për Shkenca Bujqësore në Shkup, duke shtuar se përveç vendeve nga rajoni marrin pjesë edhe përfaqësues nga Rumania, Gjermania, Suedia dhe Italia.
Natalia Bogdanov, profesoreshë në Fakultetin e Bujqësisë në Beograd tha se kjo ngjarje ka për qëllim që të tregojë përkushtimin dhe interesin e shkencëtarëve nga sfera e bujqësisë, si dhe sferat tjera të rëndësishme për zhvillimin rural në rajon.
“Për herë të parë hulumtuesit dhe shkencëtarët kanë rastin që nga ky kënd ta ndriçojnë problemin e rajoneve rurale, problemet e tyre dhe sfidat shkencore”, tha ajo.
Migracioni fshat-qytet: Nuk është reale të bisedohet për kthimin nga qyteti në fshat
Duke u përqendruar në gjendjet e migracionit nga fshati në qytet, që shënon një trend rritës në vendet e rajonit, Bogdanov konsideron se në rrethanat e sotme “nuk është reale që të bisedohet për kthimin nga qyteti në fshat”, por megjithatë duhet të ndërmerren masa të caktuara me të cilat do t’i ruanim dhe zhvillonim mjediset rurale.
“Migracionet nga fshati në qytet janë si pasojë e zhvillimit, ku me këtë përballen edhe vendet më të zhvilluara të botës. Ajo që mund të pritet dhe që është qasje moderne, është që të sigurohet për të ruajtur resurset, që të mos vjen deri te degradimi i truallit, shkatërrimi i cilësisë së truallit, ndërsa tregimi për kthimin nga qyteti në fshat nuk është tregim që ka bazë, por shpresojmë se si rajon do të vijmë në fazën për t’i mbajtur këta njerëz aty dhe t’i ngadalësojmë këto procese, kjo do të ishte sukses i madh”, konsideron ajo.
Formimi i këtij rrjeti është mbështetur nga ana e Programit rajonal për mbështetje të hulumtimeve në Ballkanin Perëndimor të menaxhuar nga Universiteti Friburg, me mandat të dhënë nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, SDC.