Agim Sulaj
25 Qershor 2020•Përditësim: 25 Qershor 2020
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se pas pamundësisë së pjesëmarrjes së presidentit Hashim Thaçi në takimin e paraparë Kosovë-Serbi në Washington nuk do të merr pjesë as ai në takimin e paraparë më 27 qershor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hoti në rrjetet sociale njoftoi se “për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për t'u marrë me situatën”.
“E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar kryeministri Hoti i cili aktualisht ndodhet në Bruksel për takime me udhëheqës të institucioneve të larta evropiane për të diskutuar rreth koronavirusit (COVID-19), rimëkëmbjes ekonomike dhe liberalizimit të vizave për kosovarët.
Dje gjatë ditës, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me seli në Hagë i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzë ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.
Konkretisht, Thaçi dhe Veseli dhe të dyshuar të tjerë, sipas aktakuzës janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime sipas të njëjtës aktakuzë, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.
Presidenti Thaçi pritet që sot të kthehet në Kosovë nga udhëtimi i tij i ndërprerë në gjysmë me cak SHBA-në. Ai njoftoi dje emisarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi se nuk do të mund të merr pjesë për shkak të aktakuzës ndaj tij, e Grenell këtë anulim të presidentit nuk e pa pengesë duke thënë se takimi do të vazhdojë midis kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiç, derisa sot edhe kryeministri Hoti anuloi një takim të tillë.