Zeynep Katre Oran
25 Tetor 2023•Përditësim: 26 Tetor 2023
Australia njoftoi se do të dërgojë trupa dhe avionë shtesë në rajon për shkak të situatës së paqëndrueshme të sigurisë në Lindjen e Mesme të shkaktuar nga konflikti izraelito-palestinez, transmeton Anadolu.
Sipas "ABC News", ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles tha në një deklaratë se mbështetja ushtarake për Lindjen e Mesme është "masë paraprake".
Marles tha se një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të Forcave të Mbrojtjes Australiane (ADF) dhe dy avionëve të Forcave Ajrore Mbretërore Australiane (RAAF) do të dërgohen në Lindjen e Mesme për shkak të "situatës së paqëndrueshme të sigurisë" në rajon, veçanërisht konfliktit izraelito-palestinez.
Ai nuk dha detaje se ku do të vendosen trupat dhe avionët shtesë.
Izraeli filloi fushatën e egër bombarduese ndaj Gazës pas sulmit të befasishëm nga Hamasi më 7 tetor dhe ka vendosur të gjithë enklavën nën bllokadë, duke lënë 2.3 milionë banorët e saj pa ushqim, ujë, karburant dhe furnizime mjekësore.
Ushtria izraelite vazhdoi sulmet ajrore intensive në Gaza, duke shkatërruar lagje të tëra.
Të paktën 5.791 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, përfshirë 2.360 fëmijë dhe 1.292 gra.
Nga ana tjetër, mbi 1.400 izraelitë humbën jetën në konflikt.