Burak Bir
16 Janar 2023•Përditësim: 18 Janar 2023
Infermierët në Angli dhe Uells kanë paralajmëruar grevë për në muajin shkurt pasi bisedimet për paga më të larta u ndërprenë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Shkurti do ta shohë stafin e infermierëve të NHS-së në grevë, në atë që do të jetë protesta jonë më e përhapur deri më tani kundër pagave të padrejta dhe stafit të pasigurt”, njoftoi Kolegji Mbretëror i Infermierisë (RCN).
Sipas sindikatës së infermierëve, nëse deri në fund të janarit nuk ka përparim në bisedimet me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Uellsit, më 6 dhe 7 shkurt do të ketë greva.
Muajin e kaluar, infermierët në Angli, Irlandën e Veriut dhe Uells organizuan greva.
Infermierët në Angli, siç është paralajmëruar, do të organizojnë greva edhe këtë të mërkurë dhe të enjte.
Mijëra mësues në Angli dhe Uells në grevë
Gjithashtu edhe Unioni Kombëtar i Arsimit (NEU) ka bërë të ditur se dhjetëra mijëra mësues në Angli dhe Uells do të organizojnë grevë në muajin shkurt dhe mars.
NEU, sindikata më e madhe e arsimit në Mbretërinë e Bashkuar, njoftoi se anëtarët e sindikatave votuan me shumicë dërrmuese në favor të ndërmarrjes së veprimeve për një rritje të pagave më tepër se inflacioni.
“88,26 për qind e stafit mbështetës në Uells votuan ‘po’ për ndërmarrjen e veprimeve industriale me një pjesëmarrje prej 51,30 për qind. 84,13 për qind e stafit mbështetës në grupin e votimit në Angli votuan ‘po’ për ndërmarrjen e veprimeve industriale me një pjesëmarrje prej 46,46 për qind”, njoftoi NEU.
Sipas sindikatës, shkollat nuk mund të funksionojnë “pa personelin mbështetës dhe punën jetike që ata bëjnë”.