Riyaz Khaliq
22 Prill 2020•Përditësim: 23 Prill 2020
Tokio ka bërë një protestë ndaj Pekinit për praninë e anijeve kineze në ujërat territoriale të Japonisë pranë ishujve Senkaku në Detin e Kinës Lindore, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, Ministri i Jashtëm japonez, Toshimitsu Motegi ngriti çështjen me homologun e tij kinez Wang Yi në një telefonatë të martën në mbrëmje.
Anijet kineze kanë hyrë në ujëra pranë ishujve të kontrolluar nga Japonia shtatë herë këtë vit, me ndërhyrjen e fundit të premten e kaluar kur katër anije lundruan nëpër zonë për rreth 90 minuta, thuhet në raport.
Ishujt Senkaku, të cilat Kina i quan Diaoyu dhe pretendon si të sajat, janë çështje mosmarrëveshjeje midis dy vendeve.
Motegi përcolli gjithashtu shqetësimet e Tokios për masën e Kinës për të krijuar rrethe për të administruar ishujt Spratly dhe Paracel në Detin e Kinës së Jugut, sipas raportit.
Ai gjithashtu trajtoi temën në një konferencë shtypi të martën, duke thënë se çështja ishte "e lidhur drejtpërdrejt me paqen dhe stabilitetin rajonal".
“Ne po monitorojmë situatën e fundit në Detin e Kinës së Jugut me shqetësim. Çështjet në lidhje me Detin e Kinës së Jugut janë çështje legjitime shqetësuese për bashkësinë ndërkombëtare që lidhen drejtpërdrejt me paqen dhe stabilitetin rajonal", u tha ai gazetarëve.
“Japonia kundërshton me forcë çdo veprim që rrit tensionet në Detin e Kinës së Jugut. Japonia nxit të gjitha palët në lidhje me çështjen e Detit të Kinës së Jugut të bëjnë përpjekje për zgjidhjen paqësore të konflikteve të bazuara në ligjin ndërkombëtar”, theksohet më tej.