Kasım İleri
09 Qershor 2016•Përditësim: 09 Qershor 2016
WASHINGTON (AA) – Forcat e kryesuara nga sirianët arabë janë shumë pranë të hyjnë në qytetin Manbij që ndodhet në afërsi të kufirit me Turqinë, deklaroi zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Chris Garver, raporton Anadolu Agency (AA).
“Konform hapave që ndërmarrim dhe shpejtësisë me të cilën luftojmë armikun ne mendojmë se është çështje ditësh për të kryer sulmin mbi qytetin”, deklaroi Garver duke iu referuar ofensivës së ndërmarrë nga Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga luftëtarët arabë të Sirisë.
Komentet e tij u bënë përmes një video-konference nga Bagdadi.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-ve, nga java e kaluar luftëtarët arabë kanë marrë nga grupi militant në Manbij 344 kilometra katrorë të territorit ndërkohë që koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të ka mbështetur grupin me 105 sulme ajrore.
“Manbij është vend i rëndësishëm strategjik për DAESH-in sepse gjendet pranë kufirit që i mundëson të furnizohet duke kontrabanduar sende të nevojshme, të tërheq luftëtarë të huaj dhe të eksportojë terroristë në perëndim”, tha Garver.
Duke vënë në dukje se ka elementë të YPG-së që marrin pjesë në operacion, ai tha se sipas planit, arabët sirianë do të pushtojnë qytetin dhe pastaj do të kontrollojnë zonën.
Turqia prej kohësh ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me PYD-në dhe krahun e saj ushtarak YPG lidhur me motivet separatiste dhe lidhjet e saj me terroristët e PKK-së.