Dilara Karataş
25 Tetor 2023•Përditësim: 25 Tetor 2023
Shtëpia e Bardhë njoftoi se dërgesat e karburantit duhet të lejohen në Rripin e Gazës, ku nuk ka hyrë fare karburant që nga fillimi i sulmeve izraelite më 7 tetor, raporton Anadolu.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se karburanti është i rëndësishëm për mbijetesën e palestinezëve që jetojnë në Gaza.
"Karburanti nevojitet për gjeneratorët dhe spitalet. Sistemet e shkripëzimit duhet të punojnë për ta bërë ujin e detit të pijshëm. E gjithë kjo është e rëndësishme", tha Kirby.
Ai vuri në dukje se "e kupton shqetësimin e Izraelit se Hamasi po kontrabandon furnizimet e karburantit dhe po e përdor atë për qëllimet e veta". Megjithatë, ai tha se pavarësisht shqetësimeve, duhet të arrihet një ekuilibër për këtë çështje dhe karburanti të arrijë tek palestinezët në Gaza.
Qeveria në Gaza ka njoftuar se nuk ka asnjë fluks karburanti që nga 7 tetori dhe se nevojitet një furnizim urgjent me karburant për të mbështetur sistemin shëndetësor.
Ushtria izraelite ka përsëritur se nuk do të lejojë hyrjen e karburantit në Gaza, pavarësisht thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar për të furnizuar me karburant enklavën palestineze.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinez në Lindjen e Mesme (UNRWA) paralajmëroi gjithashtu se nëse karburanti nuk dërgohet në Rripin e Gazës, ajo do të duhet të ndërpresë aktivitetet e saj që mund të çojnë në vdekjen e njerëzve.
Izraeli ka bombarduar Gazën që nga sulmi i befasishëm nga Hamasi më 7 tetor dhe ka vendosur të gjithë enklavën nën bllokadë, duke lënë 2,3 milionë banorët e saj pa ushqim, ujë, karburant dhe furnizime mjekësore.
Ushtria izraelite vazhdoi sulmet ajrore intensive në Gaza, duke shkatërruar lagje të tëra.
Të paktën 5.791 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, duke përfshirë 2.360 fëmijë dhe 1.292 gra.