BALLKANI

Arifi: Synojmë përmbylljen e dialogut me Serbinë

“Ne synojmë përmbylljen e dialogut dhe përgatitjen e bazës politike për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Si prioritet synojmë mbylljen e dialogut në tërësi dhe zbatueshmëri për secilën marrëveshje veç e veç", tha Arifi

Figen Shaban  | 20.02.2018 - Përdıtësım : 21.02.2018
Arifi: Synojmë përmbylljen e dialogut me Serbinë Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Shef i delegacionit negociator për dialogun me Serbinë në Qeverinë e Kosovës, Avni Arifi ka raportuar para Komisionit të Kuvendit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike lidhur me Platformën e Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, raporton Anadolu Agency (AA). 

Arifi i cili bëri pasqyrimin e situatës së Platformës duke përmendur parimet e Qeverisë në këtë proces kërkoi që procesi i dialogut me Serbinë të jetë një proces sa më gjithëpërfshirës me përfaqësues nga të gjitha partitë politike në Kosovë në takimin e radhës që do të mbahet në Bruksel në mes të palës kosovare dhe serbe më datë 26 shkurt. 

Ai theksoi se në këtë takim do të bisedohet për implemtimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në të cilat ka ngecje në implementim. 

Duke nënvizuar se ekipi për dialog nuk e ka orientim fillimin apo krijimin e bisedimeve për marrëveshje të reja, Arifi tha se synojnë vetëm implementimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Arifi gjithashtu vuri në dukje se për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe ka shkelur kushtetutën, duhet të hartohet një draft i ri në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Varësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të bëhet draftimi i propozimit të ri. Kryesorja është se qeveria nuk e pranon Asociacionin i cili bën shkelje kushtetuese. Ju e dini se herën e kaluar janë bërë 22 shkelje kushtetuese. U takon institucioneve të Kosovës që gradualisht bashkë me partnerët ndërkombëtarë të punojnë në draftimin e asociacionit të ri”, tha Arifi.

Sipas tij, Kosova i ka kryrë obligimet në shumicën e marrëvedhjeve dhe se secila marrëveshje është e rëndësishme që të implementohet si për shembull ajo për tabelat e automjeteve dhe marrëveshja për energji e cila është vitale për Kosovën.

“Ne synojmë përmbylljen e dialogut dhe përgatitjen e bazës politike për arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Si prioritet synojmë mbylljen e dialogut në tërësi dhe zbatueshmëri për secilën marrëveshje veç e veç. Dialogu nuk është aspekt i një mandati apo qeverie. Unë propozoj që partitë opozitare parlamentare të kenë përfaqësim në grupin për dialog”, tha Arifi.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani kërkoi nga Arifi që Kuvendi të përfshihet paraprakisht në këtë dialog duke u informuar për të arriturat e procesit. 

Kujtojmë se në muajin që lamë pas, Avni Arifi dhe ekipi negociator nga Kosova ndodheshin në Bruksel për takimin e radhës të procesit të dialogut mes ekipit nga Prishtina dhe atij nga Beogradi por takimi ishte anuluar për shkak të vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç. 

Bisedimet e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit janë mbajtur në fillim të dhjetorit të vitit 2016. Përbërja e re e ekipit të Prishtinës në dialogun teknik me Beogradin që rifillon më 26 shkurt në Bruksel, ka përgatitur bazën për një marrëveshje në nivelin më të lartë politik që nga Kosova pritet ta udhëheqë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın