BALLKANI

Shkup, vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare

Organizatorët në adresimet e tyre porositën se nuk do të pranojnë kryeparlamentar nëse i njëjti nuk e refuzon platformën shqiptare

Besar Ademi  | 28.03.2017 - Përdıtësım : 29.03.2017
Shkup, vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare ( Besar Ademi/AA )

Shkup

SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë të organizuar nga Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” edhe sonte marshuan rrugëve të Shkupit kundër kandidatit të propozuar për kryeparlamentar, Talat Xhaferi, si dhe kundër platformës shqiptare, e cila sipas tyre “është përgatitur nga Tirana zyrtare dhe synon të dëmtojë karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Si zakonisht, protestuesit u tubuan para godinës së Qeverisë për të vazhduar drejt Kuvendit të Maqedonisë, ku dhe organizatorët në adresimet e tyre porositën se nuk do të pranojnë kryeparlamentar nëse i njëjti nuk e refuzon platformën shqiptare.

Pas adresimeve dhe porisive të organizatorëve para Kuvendit të Maqedonisë, protestuesit marshuan drejt selisë së LSDM-së, pas së cilës turma e protestuesve u shpërnda në mënyrë paqësore. Organizatorët para selisë së LSDM-së kundërshtuan edhe përdorimin e gjuhës shqipe në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, “përdorimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin do ta çojë vendin drejt ridefinimit”.

Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” paralajmëroi se do të vazhdojnë të protestojnë çdo ditë, deri sa të merren parasysh kërkesat e tyre.

Gjatë ditës së djeshme, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët me nënshkrimin e 20 deputetëve dorëzuan propozim për kryetar të ri të Kuvendit kandidatin e BDI-së, Talat Xhaferi, mirëpo VMRO-DPMNE-ja kërkon që kandidati i ri që do të propozohet të jetë kundër platformës shqiptare.

Ndryshe, protestat e iniciuara nga kjo iniciativë filluan nga 27 shkurti i këtij viti, kur kreu i LSDM-së, Zoran Zaev ia dorëzoi presidentit Ivanov dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ndërsa presidenti pas dy ditëve të njëjtën e refuzoi duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocion për platforma të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet shteti unitar, sovraniteti dhe pavarësia”.

Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, krerët politike shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re të Maqedonisë, nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın