Politikë

Kuvendi i Shqipërisë miraton kabinetin e ri qeveritar

Qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka marrë 78 vota pro, 51 kundër dhe asnjë abstenim, nga 129 deputetë të pranishëm në votim. Ndërkohë, 11 deputetë nuk kanë marrë pjesë në votim

Fatjon Cuka  | 13.09.2017 - Përdıtësım : 13.09.2017
Kuvendi i Shqipërisë miraton kabinetin e ri qeveritar Fotoreporter: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar programin dhe përbërjen e re të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA). 

Pas një seance maratonë që ka zgjatur për shumë orë, qeveria e re e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka marrë 78 vota pro, 51 kundër dhe asnjë abstenim, nga 129 deputetë të pranishëm në votim. Ndërkohë, 11 deputetë nuk kanë marrë pjesë në votimin e realizuar në mëngjesin e së mërkurës.

Gjatë prezantimit të programit të qeverisë, Rama duke u ndalur në objektivat kryesore të mandatit katër vjeçar, theksoi se prioritet do të jetë hapja e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE, lufta kundër informalitetetit, bashkëpunimi me vendet fqinje, etj. 

Në postin e zëvendëskryeministres është emëruar Senida Mesi, ndërsa ish-kryeministri i vendit, Pandeli Majko, ministër shteti për Diasporën dhe Sonila Qato, ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. 

Ministër i Brendshëm është emëruar Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes, Etilda Gjonaj emërohet në postin e ministres së Drejtësisë, Mirela Kumbaro përsëri në Ministrinë e Kulturës, Arben Ahmetaj do të drejtojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Niko Peleshi, ministër Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Blendi Klosi ministër i Turizmit dhe Mjedisit. 

Pas betimit të kabinetit qeveritar në Presidencën e Shqipërisë ministrat e rinj do të marrin zyrtarisht detyrën. 

Kujtojmë se më nëntë shtator u mbajt seanca e parë e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë, 

Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 25 qershor të këtij viti, duke fituar 74 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, të përbërë nga 140 deputetë. Partia Demokratike e Shqipërisë fitoi 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 19 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 3 mandate dhe Partia Social Demokrate ka siguruar 1 mandat.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın