Politikë

Shqipëri, betohen ministrat e kabinetit të ri qeveritar

Me betimin në Presidencën e Shqipërisë ministrat e kabinetit të ri qeveritar kanë marrë zyrtarisht detyrën

Fatjon Cuka  | 13.09.2017 - Përdıtësım : 14.09.2017
Shqipëri, betohen ministrat e kabinetit të ri qeveritar Burimi: Presidenca e Shqipërisë

Tiranë

TIRANË (AA) - Me betimin në Presidencën e Shqipërisë, kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri qeveritar kanë marrë zyrtarisht detyrën, raporton Anadolu Agency (AA). 

Në një fjalë përshëndetëse pas ceremonisë së betimit, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria dhe shqiptarët presin nga Qeveria e re, nga Parlamenti i ri, nga maxhoranca, por edhe nga opozita, "përgjegjësi më të mëdha për të përballuar me sukses sfidat që kemi përpara." 

"Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një aspiratë kombëtare ndaj besoj se Qeveria dhe opozita do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e këtij objektivi të përbashkët madhor dhe përmbushjen e gjithë reformave kyçe me qëllim çeljen e negociatave për anëtarësimin sa më shpejt të jetë e mundur. Modernizimi i Forcave të Armatosura dhe institucioneve të tjera të sigurisë janë domosdoshmëri që do të rrisin standardet e sigurisë kombëtare e publike, por edhe rolin tonë si vend anëtar i NATO-s. Roli i Shqipërisë është kyç për stabilitetin dhe progresin e gjithë rajonit ndaj besoj se Qeveria do të punojë me përkushtim për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me fqinjët dhe të gjitha vendet e rajonit", theksoi Meta. 

Në postin e zëvendëskryeministres është emëruar Senida Mesi, ndërsa ish-kryeministri i vendit, Pandeli Majko, ministër shteti për Diasporën dhe Sonila Qato, ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Ministër i Brendshëm është emëruar Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes, Etilda Gjonaj emërohet në postin e ministres së Drejtësisë, Mirela Kumbaro përsëri në Ministrinë e Kulturës, Arben Ahmetaj do të drejtojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Lindita Nikolla, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Niko Peleshi, ministër Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Blendi Klosi ministër i Turizmit dhe Mjedisit.

Pas ceremonisë së betimit është mbajtur dhe mbledhja e parë e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Kujtojmë se Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot programin dhe përbërjen e re të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Pas një seance maratonë që ka zgjatur për shumë orë, qeveria e re ka marrë 78 vota pro, 51 kundër dhe asnjë abstenim, nga 129 deputetë të pranishëm në votim. Ndërkohë, 11 deputetë nuk kanë marrë pjesë në votimin e realizuar në mëngjesin e së mërkurës. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın