Husameddin Gina
20 Dhjetor 2018•Përditësim: 21 Dhjetor 2018
SHKUP (АА) - Ballkani Perëndimor si rajon i cili disa herë në të kaluarën u përfshi në periudha lufte dhe konflikte, paraqet një rajon kritik nga aspekti i kontrollit të armëve ilegale, tha sot ministëri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Oliver Spasovski, në konferencën me temë “Bisedojmë dhe veprojmë në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, raporton Anadolu Agency (AA).
Spasovski, në fjalimin e tij në konferencën e organizuar nga “Progres Institut për demokraci sociale” dhe fondacioni “Kalevi Sorsa” nga Finlanda, theksoi se njëra nga kërcënimet me të cilat vazhdimisht përballet vendi është tregtia e palejuar me armë.
“Një nga kërcënimet me të cilat vazhdimisht përballemi është tregtia e palejuar me armë. Masat e drejtuara kundër këtij krimi janë të adresuara në Strategjinë nacionale dhe Planin aksionar të armëve të vogla dhe të lehta për periudhën 2017-2021. Strategjia është e hartuar në korelacion me politikat dhe sugjerimet më të reja të BE-së dhe partnerët tjerë nga kjo fushë”, tha Spasovski.
Drejtoresha e fondacionit “Kalevi Sorsa”nga Finlanda, Kaisa Emilia Peni, theksoi se për zbatimin e reformave në vend nevojitet shoqëri e fuqishme civile, aktorë të fuqishëm dhe kapacitete të fuqishme të shoqërisë civile.
Ajo përkujtoi se në fillim të muajit korrit të vitit të ardhshëm Finlanda do të kryesojë me këshillin e BE-së.
Fondacioni “Kalevi Sorsa” është një think-thank i hapur dhe i pavarur social-demokratik për të nxitur debat publik për barazi dhe demokraci.