Nazmi Abduramani
26 Maj 2017•Përditësim: 27 Maj 2017
SHKUP (AA) – Lidhur me rastin e Goran Zhivaleviq, këshilltar në ambasadën e Republikës së Serbisë në Maqedoni, si pjesë e turmës së njerëzve që kanë hyrë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë gjatë ngjarjeve të dhunshme më 27 prill, sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë është thirrur në bisedë ambasadorja e Serbisë, Dushanka Divjak – Tomiç, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e MPJ-së thuhet se në takim është shprehur pakënaqësi dhe shqetësim për shkak të pranisë së palejuar të një diplomati të akredituar të Republikës së Serbisë në Kuvendin e Maqedonisë gjatë ngjarjeve të dhunshme më 27 prill dhe u kërkua sqarim detajor të arsyeve dhe rrethanave.
Sipas MPJ-së “ky aktivitet i personit të theksuar nuk kontribuon në përforcimin e besimit të ndërsjellë si dhe në avancimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimit, për çka të dyja vendet angazhohen”.
Më tej në njoftim thuhet se “MPJ pret që në komunikimin e mëtejmë të ndërsjellë të organeve kompetente të të dyja shteteve do të sqarohen dhe vërtetohen të gjitha rrethanat e rastit dhe rrjedhimisht do të merren aktivitete përkatëse në pajtim me ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare”.
Ambasadorja Divjak Tomiq, thuhet në njoftim, me konfirmimin e përpjekjeve për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë mes dy shteteve, theksoi qëndrimet dhe sqarimet në vijë me deklaratat e paradokohshme të kryeministrit dhe presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç.
Kujtojmë se mbrëmjen e 27 prillit, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit në një situatë kaotike për kryetar të Kuvendit, protestuesit e organizuar nga nisma qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët” që ishin tubuar para godinës së Kuvendit u futën me dhunë brenda institucionit.
Si pasojë e dhunës së protestuesve që kishin cak deputetët, mbetën të plagosur rreth 100 persona, përfshirë deputetë, punonjës të policisë dhe përfaqësues të medias.