Sibel Vezaj
14 Janar 2017•Përditësim: 15 Janar 2017
PRISHTINË (AA) - Në fshatin Drenoc, i cili gjendet në komunën e Deçanit, në afërsi të qytetit të Pejës në perëndim të Kosovës, mbrëmë është djegur një xhami, transmeton Anadolu Agency (AA).
Imami i xhamisë së fshatit të Drenocit, Harun Shabanaj, për AA konfirmoi se ngjarja ka ndodhur mbrëmë dhe dyshohet të ketë ndodhur nga një problem i rrymës elektrike.
Ai bëri të ditur se xhamia është ndërtuar në vitin 1773 dhe që është një prej objekteve më të vjetra të rajonit. Xhemati i xhamisë për AA bëri të ditur se xhamia është e vjetër më shumë se 300 vite dhe që ajo është për rreth 200-300 veta.
Në një njoftim nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se në bazë të informacioneve të para xhamia e fshatit është përfshirë nga zjarri nga rryma elektrike.
"Njësia policore dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer hetime rreth rastit dhe shkakut te zjarrit. Xhamia është djegur në tërësi”, bëhet e ditur nga PK. Ndërkaq, nuk raportohet për të lënduar.