Sibel Vezaj
22 Shkurt 2018•Përditësim: 22 Shkurt 2018
PRISHTINË (AA) - Organizata jo-qeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka njoftuar se Kosova ka shënuar progres prej dhjetë pozitash në krahasim me vitin e kaluar në luftën kundër korrupsionit, duke lënë pas Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjë e Hercegovinën (BeH), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga KDI thuhet se në një konferencë për media të mbajtur sot, Majlinda Kurti nga ky institut ka njoftuar se sikurse në 20 vitet e kaluara edhe këtë vit Transparency International ka publikuar rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2017.
Ajo bëri të ditur se në nivel global, prej 180 vendeve që marrin pjesë në këtë vlerësim, Zelanda e Re radhitet e para këtë vit me 89 pikë duke kaluar kështu liderin e vitit të kaluar Danimarkën, kurse Somalia mbetet në vendin e fundit për vitin e njëmbëdhjetë me radhë me vetëm 9 pikë (ku në sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’, kurse asnjë pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’).
“Kosova është radhitur në pozitën e 85-të, që nënkupton përparim prej dhjetë vendesh në krahasim me vitin paraprak në të cilin ishte e radhitur si e 95-ta. Ndonëse në pozicion më të mirë se sa vitin e kaluar, Kosova me 39 pikë ende ndodhet nën mesataren globale prej 43 pikësh. Një gjetje tjetër interesante del nga krahasimi i Kosovës me vendet e rajonit. Kosova ka kaluar Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjë e Hercegovinën, kurse mbetet prapa Malit të Zi dhe Serbisë”, ka deklaruar Kurti.
Ndërsa Arben Kelmendi nga KDI theksoi se sipas hulumtimit të Transparency International, tri fushat në të cilat Kosova ka shënuar progres janë pavarësia e sistemit të drejtësisë, mediat e pavarura dhe lufta kundër korrupsionit.
Sipas tij, problem kyç mbetet mungesa e transparencës në shpenzimin dhe menaxhimin e financave publike dhe në financimin e subjekteve politike.