Saimir Alija
02 Tetor 2018•Përditësim: 03 Tetor 2018
TIRANË (AA) - Konventa e Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore, mblodhi në Tiranë shefat e policisë kriminale nga 12 shtete anëtare dhe përfaqësues nga EUROPOL dhe organizata të tjera ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Qëllimi i këtij takimi është identifikimi i mundësive praktike për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe formave të tjera të krimit ndërkufitar.
I pranishëm në nisjen e punimeve të konventës, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, tha se sot rajoni dhe Evropa përballen me sfida te ndryshme të sigurisë.
“Krimet e rënda, krimi i organizuar, terrorizmi dhe flukset migratore përbëjnë padyshim sfidat më të mëdha të cilat kurrsesi nuk mund të adresohen të vetme. Karakteri ndërkufitar, madje transnacional i tyre bën domosdoshmëri bashkëpunimin dhe koordinimin e energjive të përbashkëta”, theksoi Xhafaj.
Sipas ministrit Xhafaj, lëvizje populiste dhe anti-migratore kanë shënuar rritje ashtu siç kanë shënuar rritje dhe veprimtaritë e paligjshme dhe rrjetet kriminale të kontrabandimit të migrantëve, të trafikimit të qenieve njerëzore dhe trafikimit të armëve.
“Rreziku terrorist dhe format e ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm janë bërë gjithashtu shoqëruese të këtyre fenomeneve. Të gjitha këto, kanë shtuar ndjeshëm barrën dhe pritshmëritë mbi agjencitë ligj zbatuese”, deklaroi Xhafaj.
Në përfundim të fjalës së tij, ministri Xhafaj theksoi se temat që të trajtohen në këtë takim si dhe eksperiencat që do të ndahen, do të jenë me shumë interes për pjesëmarrësit dhe me rëndësi konkrete për sigurinë e rajonit dhe të Evropës.
Konventa e Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore do të zhvillohet për dy ditë me radhë në Tiranë dhe marrin pjesë përfaqësues të policive nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina, Bullgaria, Hungaria, Moldavia, Rumania, Serbia, Sllovenia, etj.