Figen Shaban
27 Qershor 2017•Përditësim: 27 Qershor 2017
PRISHTINË (AA) - Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë shënoi fillimnin e "Javës së Diplomacisë Klimatike 2017", raporton Anadolu Agency (AA).
Temat kryesore të "Javës së Diplomacisë Klimatike 2017" në Kosovë do të jenë ndotja e ajrit, menaxhimi i mbeturinave dhe energjia eficiente përmes një sërë ngjarjesh të organizuara nga Zyra e BE-së në Kosovë.
Kjo iniciativë do të mbledhë përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, shoqërinë civile dhe publikun e gjerë në Kosovë për të rritur ndërgjegjësimin mbi tema të ndryshimit të klimës nëpërmjet një aksioni të pastrimit, shfaqjes së filmave, garës për vizatim/video konkurs për studentët, ekspozitës dhe tryezave të rrumbullakëta.
Shefja e Zyrës së BE-së dhe përfaqësuesja e posaçme e BE-së, Natalia Apostolova gjatë fjalimit të saj në hapjen e kësaj jave theksoi se duhet ndërmarrë hapa konkret ndaj ndryshimeve klimatike. Ajo theksoi se emisionet e gazrave në shtetet e BE-së kanë shënuar rënie për 22 për qind që nga viti 1990 duke theksuar se është shënuar rritje në GDP-në e BE-së në 50 për qind.
"Kosova duhet ta ndjekë rrugën e njëjtë. Duhet t'i japë rëndësi të madhe sfidave të ardhshme në sektorin e mjedisit. Ne jemi të gatshëm t'i ndajmë njohuritë tona dhe kemi krijuar politika klimatike të gjera të bashkëpunimit me partnerët tanë të rëndësishëm në Kosovë. Sfidat klimatike dhe nevojat e mbrojtjes së mjedisit në Kosovë janë shumë të rëndësishme për BE-në", tha Apostolova.
Ajo potencoi se gjatë periudhës 2007-2013 BE-ja ka investuar rreth 40 milionë euro në sektorin e mjedisit në Kosovë, përfshirë edhe objektet institucinale dhe investimet në infrastrukturë. Apostolova duke nënvizuar se janë shpenzuar rreth 20 milionë euro në efiçiencë të energjisë në 67 shkolla dhe 3 spitale në mbarë Kosovën bëri të ditur se gjatë periudhës 2018-2020, BE-ja planifikon të vazhdojë investimet në zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve në këtë sektor.
Ndërsa, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets duke theksuar se në BE ekziston një traditë për t'i promovuar anët negative të ndryshimeve klimatike tha se ndihet e lumtur që edhe Kosova do të jetë pjesë e kësaj përpjekjeje gjatë kësaj jave. Ajo njoftoi se Ambasada Gjermane në Kosovë ka organizuar garën me titull "Bëhu diplomati i ri i Klimës" ku shumë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës kanë marrë pjesë me pikturat dhe videot e tyre.
Në hapje po ashtu u shfaq edhe videoja fituese e kësaj gare qëllimi i të cilit ka qenë promovimi i ndryshimeve klimatike që tregon rëndësinë dhe sfidat e ndryshme klimatike. Lyra Purrini, nxënësja nga Gjakova u shpall fituese në këtë garë me videon më të mirë me temën "Ndryshimet klimatike".