Furkan Abdula
12 Nëntor 2017•Përditësim: 13 Nëntor 2017
SHKUP (АА) – Më shumë se 230 pjesëmarrës nga Maqedonia, Kosova, Serbia, Bullgaria dhe Holanda në konkurrencën e meshkujve dhe femrave ishin pjesë e garës tradicionale atletike të mbrëmjes “Nëpër rrugët e Shkupit – 2017” në pjesën qendrore të qytetit të Shkupit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky manifestim sportiv është pjesë e aktiviteteve kulturore dhe sportive që u mbajtën me rastin e shënimit të 13 nëntorit – Ditës së çlirimit të Shkupit.
Gara atletike e mbrëmjes u organizua në katër kategori, garën për meshkuj dhe femra për gjimnazistët në 1.200 metra, gara kryesore për senior në konkurrencën për meshkuj (6.000 metra) dhe në konkurrencën për femra (4.800 metra).
Në konkurrencën për meshkuj, në 6.000 metra më i suksesshëm ishte garuesi Millosh Rançiq, vendin e dytë e fitoi Atanas Kovaçevski, ndërsa vendi i tretë i takoi Kokan Ajanovski.
Ndërkohë, në garën për femra në 4.800 metra, vendi i parë i takoi Gresa Bakraçit nga Kosova, vendi i dytë Adrijana Pop Arsova, ndërsa Margo Bojaxhiev u radhit në vendin e tretë.
Në garën prej 1.200 metrave, në konkurrencën për meshkuj fitues ishte Ivan Timçevski, i dyti ishte Matej Draganovski, ndërsa vendi i tretë i takoi Rijad Shaipit.
Ndërsa në konkurrencën për femra, më e suksesshëm ishte Anesa Hajdari, ndërsa pas saj ishin Hajrie Aziri dhe Viktoria Todorovska.
Gara tradicionale atletike e mbrëmjes mbahet në organizim të Federatës së Atletikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit.