SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (АА) –
Hapësira e parkimit është një nga problemet më të mëdha për qytetarët në kryeqytetet e vendeve të rajonit, meqë siç rritet numri i banorëve ashtu rritet edhe numri i automobilave dhe mjeteve tjera transportuese, që vështirëson komunikacionin, por në mënyrë shtesë, krijon probleme për sigurimin e vendeve të lira të parkimit.
Gazetarët e AA-së hulumtuan me sa vend-parkingje disponojnë kryeqytetet e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, po ashtu, edhe si sillen çmimet e vendeve të parkimit. Të dhënat tregojnë se qytetet në rajon përballen me mungesën e vendeve të parkimit, ndërsa Prishtina në krahasim me Shkupin dhe Tiranën ka çmim më të ulët për shfrytëzimin e vendeve të parkimit.
- Në Shkup nëntë automjete në një vend parkim
Në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, ekzistojnë ndërmarrje publike që ofrojnë parkim zonal, parkingje me rampë dhe garazhe, por edhe disa garazhe private në kate dhe parkingje në kuadër të qendrave tregtare.
Me hapësirën e parkimit në kryeqytet ekonomizojnë ndërmarrjet publike “Parkingu i qytetit-Shkup dhe “Parkingjet e Komunës Qendër”, si dhe një ndërmarrje banesore shtetërore.
Gjithsej së bashku kanë rreth 16.500 vend parkime të shënuara në Shkup. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 2016 në territorin e Qytetit të Shkupit dhe komunat e regjistruara janë gjithsej 176.981 automjete, prej të cilave 151.098 automobila, që në fakt do të thotë se për çdo vend parkim ka nga nëntë automjete të regjistruara.
Varësisht nga vendi dhe nga zonat për parkim çmimet e parkimit janë të ndryshme, ndërsa sillen nga 25 deri në 100 denarë (40 cent deri në 1.6 euro) për një orë në qender të qytetit.
Përveç hapësirës së parkimit në territorin e qytetit, edhe Aeroporti Ndërkombëtar Shkup disponon hapësirë personale parkimi, 1200 vende të shënuara për automobila dhe 6 vende të shënuara për autobusë. Qëndrimi disaminutësh në hapësirën e parkimit është falas, ndërsa për një orë paguhet 80 denarë (1.3 euro) për një orë, 100 denarë (1.6 euro) për dy orë, 600 denarë (rreth 10 euro) për 24 orë, ndërsa për parapagesën mujore për hapësirën e parkimit në aeroport nevojitet që të ndahen 3.000 denarë (rreth 50 euro).
- Çmimi më i ulët i parkingjeve në Tiranë 0.8 euro për një orë
Çmimet e parkingjeve në Tirana kanë çmimin më të lartë për parkimin e automjeteve në krahasim me qytetet e tjera, ndërsa brenda kryeqytetit çmimi ndryshon sipas zonave apo qendrave tregtare. Çmimet në kryeqytet variojnë nga 0.8 euro për një orë deri në 6.4 euro për tetë orë. Tarifat ndryshojnë edhe në qytete të tjera të vendit, mirëpo janë më të lira se në Tiranë, kryesisht nga 0.8 euro për një orë deri në 1.2 euro për tetë orë.
Çmimet më të larta janë kryesisht në aeroport, qendrat tregtare në Tiranë dhe parkingjet që administrohen nga Bashkia e Tiranës.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Shqipëri, tarifat për parkimin e automjeteve ndryshojnë sipas orëve të qëndrimit dhe zonave të veçanta që janë të destinuara për parkingjet. Ato kryesisht janë nga 1 euro (1 orë), 5.8 euro (12 - 24 orë) dhe 8 euro (30 - 60 minuta për zonën para ndërtesës së terminalit). Në zonën para ndërtesës së terminalit pa pagesë është qëndrimi deri në 4 minuta, ndërsa në zona tjera deri në 7 minuta.
Vendparkimet publike në qendër dhe pranë qendrës së Tiranës ofrojnë çmime nga 0.8 euro (1 orë) deri në 6.4 euro (8-12 orë), përkatësisht në Bulevardin e Ri dhe Sheshi Skënderbej të dy me rreth 628 vende parkimi. Ndërsa në vend parkimet private, sidomos në qendrat tregtare, çmimi është më i lartë, nga 0.8 euro (1 orë) në 9.6 euro (24 orë).
Ndërkohë në parkingjet private në zonat larg qendrës dhe në periferi të kryeqytetit ka tarifa më të lira, që variojnë nga 0.8 euro (1 orë) deri në 1.6 euro (8 orë). Pas përfundimit të qëndrimit 8 orë fillojnë të aplikohen përsëri tarifa njëjta.
- Prishtina ballafaqohet me mungesë të parkingjeve publike
Çështja e parkingjeve është një problem me të cilën po ballafaqohet trafiku i kryeqytetit të Kosovës. Në Prishtinë parkingjet publike, përkatësisht ato në prona publike në afërsi të banesave dhe objekteve janë pa pagesë, ndërkaq kryeqytetit i mungon një hapësirë e mjaftueshme dhe organizim i parkingjeve të vogla kaotike.
Qytetarët e Prishtinës dhe ata që vijnë nga jashtë zakonisht shfrytëzojnë parkingjet private, ku çmimet variojnë nga 50 cent deri në 1 euro për çdo orë, duke u bazuar në afërsinë me qendrën e qytetit. Çmimet përafërsisht të njëjta variojnë edhe në qytetet tjera të Kosovës.
Parkingjet tjera nëpër qendra tregtare janë po ashtu falas, ndërsa ai në Aeroportin Adem Jashari në Prishtinë për 15 minutat e para është falas, ndërsa për dy orët e para është 2 euro dhe shkon deri në 8 euro për 24 orë.
Me qëllim të ballafaqimit me mungesën e parkingjeve në Prishtinë, ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, e themeluar disa vite më parë, synon rregullimin e 4 mijë parkingjeve dhe menaxhim më të mirë të hapësirave për të inkasuar të hyra.
Disa muaj më parë, komuna e Prishtinës prezantoi edhe projektin nëntokësor në qendër të qytetit, që vlerësohet si një nga projektet më të mëdha të kryeqytetit që do të ndërtohet përmes partneritetit publiko-privat. Ky parking që planifikon të ketë një kapacitet për rreth 500-900 automjete, pritet që të ndihmojë zgjidhjen e problemit të parkingjeve në Prishtinë, por i njëjti ende nuk dihet se kur do të fillojë punimet e ndërtimit.