Fatjon Cuka
11 Shtator 2017•Përditësim: 11 Shtator 2017
TIRANË (AA) - Në të gjithë Shqipërinë ka filluar sot viti i ri shkollor 2017-2018 për sistemin parauniversitar, ku përfshihen shkollat 9-vjeçare dhe shkollat e mesme, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, rreth 495.236 nxënës fillojnë sot procesin mësimor në të gjithë vendin, ndërsa 32.858 nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Lidhur me fillimin e procesit mësimor kanë ardhur mesazhe urimi nga politikanët, si dhe drejtuesit e institucioneve të larta, si kryeministri i vendit, Edi Rama, kreu i opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, etj.
Ndërsa viti i ri akademik në të gjithë universitetet e vendit në Shqipëri fillon më 16 tetor.
Ndërkohë Policia e Shqipërisë ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në shkolla me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2017-2018.
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, thekson se drejtori i përgjithshëm i policisë, Haki Çako, ka firmosur urdhër të detajuar për masat e posaçme.
Sipas njoftimit, urdhri parashikon që drejtuesit e drejtorive vendore të policisë, komisariateve/stacioneve të policisë, të studiojnë e vlerësojnë situatën kriminale dhe vendosin shërbimet policore për kontrollin e territorit.
"Në lidhje me kërcënimet për sulme të mundshme terroriste në vend, në planet e masave do të ketë prani të shtuar të prezencës policore në ambientet e shkollave në përgjithësi dhe në veçanti shkollat e huaja me qëllim vlerësimin, sqarimin në kohë, ndjekjen me përparësi të informacioneve për parandalimin e çdo akti të mundshëm kriminal apo terrorist në këto ambiente", thuhet në njoftimin e policisë.