Sibel Vezaj
09 Nëntor 2016•Përditësim: 09 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA)- Në komunën e Malishevës, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe të pandërprera, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë të kësaj komune, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Komuna e Malishevës bëhet e ditur se si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme pothuajse në të gjitha vendbanimet ka sasi të mëdha të ujit. Ndërkaq sot të gjitha shkollat në Malishevë janë mbyllur.
“Rrugët Malishevë-Kijevë, Mirushë-Gurbardh, si dhe qendra e qytetit në Malishevë, janë të pakalueshme, ndërsa gjendja e rëndë është në aksin rrugor Malishevë-Autostradë-Duhël. Gjendja e rënduar është edhe në liqenin Mirusha, pasi uji ka mbuluar edhe digën. Në disa shkolla uji pothuajse ka hyrë në objekte”, thuhet në njoftim nga Komuna e Malishevës.
Duke lutur qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë, komuna bën të ditur se të gjitha ekipet emergjente si drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, njësia e zjarrfikësve dhe shpëtimit dhe Policia e Kosovës janë në terren duke i ndihmuar qytetarët që kanë nevojë.
Ndërkaq edhe disa fshatra të komunës së Gjakovës kanë pësuar dëme nga reshjet e pandërprera të shiut.
Kurse komuna e Rahovecit dhe ajo e Pejës kanë lajmëruar që kanë formuar shtabin emergjent për gjendjen e krijuar pas reshjeve te fundit te shiut.