Figen Shaban
21 Mars 2018•Përditësim: 21 Mars 2018
PRISHTINË (AA) – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës shqyrtimi i Projekt-ligjit për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi u ndërpre për të dytën herë nga gazi lotsjellës që u hodh nga deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, raporton Anadolu Agency (AA).
Në vazhdim të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, pas një pauze kur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli paralajmëroi hedhjen në votim të Projekt-ligjit për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje përsëri hodhën gaz lotësjellës.
- Kryesia e Kuvendit përjashton 5 deputetë nga seanca
Në një konferencë të shkurtër për media pas mbledhjës së mbajtur nga Kryesia e Kuvendit, kryeparlamentari Veseli ka thënë se sot do të votohet demarkacioni ndërsa pesë deputet të cilët kanë hedhur gaz lotësjellës janë përjashtuar nga pjesëmarrja në seancë.
Veseli theksoi se nuk do të lejohet që të ketë pengesa dhe manipulime duke i siguruar qytetarët e vendit se do të ketë mbarëvajtje të procesit të votimit.
Ai njoftoi se disa nga deputetët e Kuvendit janë në gjendje të rëndë shëndetësore shkaku i gazit lotsjellës. Sipas tij, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë dhe qytetarët e vendit do të trajtohen të barabartë me qytetarët e tjerë të vendeve evropiane.
Kujtojmë se dy vite më parë, opozita kishte penguar me gaz lotsjellës ratifikimin e marrëveshjes të kufirit me Malin e Zi.
Vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme për votimin e Projektligjit të marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi është ndërprerë dhe nuk dihet ende nëse do të fillojë.