Figen Shaban
26 Tetor 2017•Përditësim: 27 Tetor 2017
PRISHTINË (AA) – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me sekretaren e përgjithshme të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (SHEVJ), Helga Schmid, deklaroi se dinamika e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) po intensifikohet, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e përbashkët për shtyp, takimin me sekretaren e përgjithshme të SHEVJ-së ku të pranishëm ishin edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj e vlerësoi se ka dëshmuar rëndësinë e këtyre marrëdhënieve dinamike mes Kosovës dhe BE-së.
“Mendoj se takimi i sotëm me Helga Schmid vërteton rëndësinë e kësaj dinamike por edhe është një shtyrje më intensive në zbatimin e axhendës evropiane për Kosovën që fokusohet në reformat e përgjithshme si forcimin e rendit dhe të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend, njokohësisht reformën ekonomike që e kemi si detyrë të përbashkët të akorduar”, tha Haradinaj.
Ai vuri në dukje se interesimi dhe roli i BE-së është më i madh duke theksuar se ka edhe një rol rajonal. Haradinaj bëri të ditur se gjatë takimit është biseduar edhe për temën e dialogut dhe për avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella.
“Kosova është e vendosur në rrugën e vet, në perspektivën e saj evropiane dhe do të jetë serioze në implementimin e detyrave që i dalin”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa, Schmid theksoi se përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka qenë shumë e qartë në ambiciet e saj që ta sheh Kosovën dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të rrugës evropiane deri në përfundimin e mandatit të saj.
“Mesazhim im i sotëm është i qartë, Kosova është Evropë dhe ardhmëria e Kosovës është tek Bashklimi Evropian”, tha Schmid.
Ajo theksoi se komisioneri Junker ka konfirmuar se dera e BE-së është e hapur për partnerët evropianë në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke nënvizuar se prioritetet kryesore për këto shtete duhet të jenë reformat e nevojshme si sundimi i ligjit, drejtësia dhe të drejtat fundamentale.
Schmid apeloi deri tek përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës që ta përdorin momentin dhe të mendojnë në mënyrë strategjike për t'i bërë përmirësimet e duhura që të jenë më afër BE-së sa më parë.
“Ne duam të promovojmë një administratë efikase për popullin, kjo do të thotë një edukim i cili rrit konkurrueshmërinë, një ekonomi që mbështetë investimet dhe vendet e reja të punës, sundimin e ligjit që punon për ta zhdukur korrupsionin dhe krimet e organizuara”, tha Schmid.
Ajo po ashtu njoftoi se BE-ja do ta ndihmojë Kosovën me një shumë prej 100 milionë eurove në vit për të krijuar vende të reja të punës, për një infrastrukturë më të mirë dhe për ta përdorur në fushën e edukimit.
Ajo tha se implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe i reformave të duhura nga Kosova ka një rëndësi jetike për Kosovën. Sipas Schmid BE e ka parasysh se sa i rëndësishëm është procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën duke shtuar se, “Kosova duhet të ecë përpara në përmbushjen e kriterit për liberalizim, e cila është marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, po ashtu edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Schmid përgëzoi autoritetet kosovare për organizimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në mënyrë kompetitive dhe të administruara mirë duke vënë theksin të misioni i vëshguesve të BE-së zgjedhjet e ardhshme të arrijnë standardet.
Ndërsa, sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Schmid tha se janë të kënaqur që është arritur implementimi i marrëveshjes së drejtësisë mes dy shteteve duke e quajtur atë “një hap jetik për të ardhmen e dialogut”.
Në fund, Shmid nënvizoi se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini është e zotuar të punojë për një imazh të ri të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo tha se ky dialog ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin dhe përparimin e këtyre dy shteteve drejt BE-së.
Sekretarja e Përgjithshme, Shmid më herët zhvilloi një takim edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa më vonë ka zhvilluar takim, edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës.