Besar Ademi
22 Mars 2017•Përditësim: 23 Mars 2017
SHKUP (AA) – Iniciativa qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” e mbështetur nga mijëra qytetarë të cilët protestojnë rrugëve të Shkupit që nga data 27 i muajit të kaluar kundër platformës shqiptare, sonte para godinës së Kuvendit të Maqedonisë dënuan rekomandimet e Komisionerit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn, i cili dje pas takimeve me krerët politik porositi që presidenti Gjorge Ivanov urgjentisht të rishikojë pozicionin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Si zakonisht protestuesit u tubuan para godinës së Qeverisë për të vazhduar drejt Kuvendit të Maqedonisë, ku dhe organizatorët në adresimet e tyre përshëndetën qëndrimet e presidentit Ivanov për mosdhënien e mandatit kreut të LSDM-së për formimin e qeverisë, si dhe për, siç thonë ata, “vendimin e guximshëm të djeshëm të presidentit, i cili terminin e tij të takimit me eurokomisarin Hahn ua la përfaqësuesve të iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”.
Sipas tyre, platforma shqiptare “është përgatitur nga Tirana zyrtare dhe synon të dëmtojë karakterin unitar, sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë, ndërsa eurokomisari Hahn duhej të dënonte këtë platformë”.
Protesta me kërkesa të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë. Një ndër kërkesat kyçe është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonise, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në mbarë territorin e Maqedonisë do të çojë vendin drejt ridefinimit.
Protestat e inicuara nga kjo iniciativë filluan nga 27 shkurti i këtij viti, kur kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ia dorëzoi presidentit Ivanov dëshminë për sigurimin e shumicës parlamentare për formimin e qeverisë së re, ndërsa presidenti Ivanov pas dy ditëve të njëjtën e refuzoi duke u arsyetuar se “nuk do të mandatojë çdo kë që negocionon për platforma të huaja me të cilat cenohet populli maqedonas, kërcënohet shteti unitar, sovraniteti dhe pavarësia”.