Saimir Alija
12 Mars 2018•Përditësim: 13 Mars 2018
TIRANË (AA) - Banka e Shqipërisë, në mbështetje të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, organizoi një aktivitet me rastin e "Javës së Parasë", me të cilin synohet ndërgjegjësimi i brezit të ri për të qenë qytetarë i ardhshëm i përgjegjshëm dhe i aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara, raporton Anadolu Agency (AA).
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në adresimin e tij gjatë prezantimit të aktivitetit, tha se nëpërmjet këtij aktiviteti synohet rritja e kulturës financiare për të gjitha shtresat e popullsisë.
“Ky aktivitet është në përputhje me objektivin e Bankës së Shqipërisë, edukimin dhe përfshirjen financiare. Ne synojmë të rrisim nivelin e edukimit financiar për të gjitha shtresat e popullsisë, duke filluar nga fëmijët e shkollave 9-vjeçare, shkollave të mesme dhe studentëve të universiteteve. Qëllimi i kësaj është për të rritur kulturën financiare, për të menaxhuar më mirë financat personale, për të pasur një përshtatje më të mirë me aktivitetet ekonomike, pasi këto janë disa elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, u shpreh Sejko.
Duke folur për rolin e Bankës së Shqipërisë në drejtim të edukimit financiar, Sejko tha: “Ne kemi një seksion të veçantë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, në të cilin ne jo vetëm ofrojmë historinë financiare të Shqipërisë, por kemi edhe ambiente të veçanta lidhur me edukimin financiar. Në këto ambiente fëmijët dhe nxënësit e shkollave mund të informohen mbi elementë të veçantë, siç është paraja, kursimet dhe elementë të tjerë të edukimit financiar”.
"Java e Parasë", që organizohet tradicionalisht gjatë muajt mars, është një nismë mbarëbotërore e parasë dhe këtë vit shënon 10 vjetorin e festimit dhe organizohet në 135 shtete të botës, ku janë të përfshira 23.000 organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Për disa ditë me radhë do të organizohen aktivitete që kanë në fokus të rinjtë, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht apo si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre nëpërmjet kulturës financiare.