Fatjon Cuka
16 Shkurt 2019•Përditësim: 17 Shkurt 2019
TIRANË (AA) - Protesta antiqeveritare e partive opozitare në Tiranë është përfshirë nga tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve, të cilët ishin nga kryeqyteti, por edhe qytete të tjera të vendit, ndërsa disa protestues, punonjës të policisë dhe përfaqësues të mediave janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta me pjesëmarrjen e mijëra personave e organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka vazhduar për disa orë para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", ndërsa tensionet kanë filluar pas tentativës së protestuesve për të çarë kordonin e policisë.
Protestuesit kanë hedhur sende të ndryshme, si kapsolle, gurë, tymuese dhe bomba molotov ndaj selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë duke shkaktuar edhe zjarr në shkallët e godinës, ndërsa më pas ka reaguar edhe policia dhe Garda e Republikës së Shqipërisë me ujë.
Disa protestues pasi kanë çarë kordonin policor janë ngjitur në skelën e vendosur para selisë së Qeverisë së Shqipërisë duke e dëmtuar, ndërsa kanë thyer edhe xhamat e dyerve dhe dritareve të saj.
Në mbyllje të protestës, lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike(PD), Lulzim Basha, ka njoftuar pjesëmarrësit se protesta e radhës do të organizohet të enjten e javës së ardhshme.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka konfirmuar se janë lënduar 19 persona gjatë protestës, konkretisht 9 punonjës të forcave të rendit, 2 përfaqësues të mediave dhe 8 protestues, të cilët sipas këtij institucioni janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, sipas informacioneve zyrtare nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ka shumë protestues të lënduar nga gazi lotsjellës i hedhur ndaj protestuesve.
Sipas organizatorëve, protesta zhvillohet për të kërkuar "përmirësimin e kushteve ekonomike të qytetarëve, respektimin e të drejtave të qytetarëve, për ligjin e barabartë për të gjithë, garantimin e proceseve zgjedhore të lira, etj", ndërsa drejtuesit e opozitës kanë bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme.
- Reagime për tensionet dhe dhunën në protestë
Në lidhje me tensionet në protestë, ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili në rrjetet sociale shkruan se “Duke ndjekur me vëmendje të veçantë protestën e opozitës bëj thirrje për vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve dhe dhunës. Qytetarët duhet të protestojnë të lirë dhe duhet të respektohen institucionet”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në qytetin e Vlorës, në kuadër të takimit “Bashkia që duam”, duke iu referuar tensioneve në protestë ka shkruar në rrjetet sociale se “Kjo s'është Shqipëria këta s'janë shqiptarë”.
Gjithashtu ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili nga rrjetet sociale u ka bërë thirrje drejtuesve të partive politike që “të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë”. “Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm. Është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë. Jo dhuna, por arsyeja na afron drejt Evropës së vlerave tona”, ka shkruar Lleshaj.
Ndërkohë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat gjatë protestës ka theksuar se “Qytetarët janë thirrur nga opozita me një qëllim të qartë politik. Qeveri tranzitore, zgjedhje të parakohshme”.
Rreth tensioneve, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë dhe ambasadat e shteteve anëtare në Tiranë, në një deklaratë theksojnë se “U bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme”. “E drejta e qytetarëve për t’u shprehur përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Megjithatë, dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe çrregullimin e mëtejshëm”, thuhet në deklaratën e tyre.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, angazhoi qindra forca policore për të garantuar sigurinë gjatë protestës.