Sibel Vezaj
04 maj 2017•Përditësim: 05 maj 2017
PRISHTINË (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Margot Wallström, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas këtij takimi homologët Hoxhaj dhe Wallström në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Gjatë fjalimit të saj, ministrja suedeze Wallström tha se Suedia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të jashtëzakonshme bilaterale, ku theksoi se ky shtet për një kohë të gjatë është një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë.
Duke shprehur besimin se e ardhmja e Kosovës është në Evropë, Wallström inkurajoi politikanët kosovarë për përmbushjen e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, si vazhdimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe arritjen e shënimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“Ju inkurajojmë për një dialog më të mirë mes pozitës dhe të opozitës dhe kjo është e rëndisishme për të ardhmen e këtij vendi dhe rajonit. E di sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për Kosovën, posaçërisht duke marrë parasysh që kemi një popullatë mjaft të re në Kosovë”, tha Wallström.
Ajo po ashtu foli për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ku tha se “Procesi i dialogut me Serbinë është shumë i rëndësishëm për ju, madje edhe hartimi i statusit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shpërbërja e strukturave paralele që do të jetë edhe një hap tjetër drejt integrimit të komunitetit serb në struktura dhe institucione të Kosovës. Duhet të kemi edhe respektim të drejtave të minoriteteve e cila është parim fundamental i çdo shoqërie evropiane demokratike”.
Kurse ministri Hoxhaj theksoi mbështetjen e Suedisë për stabilitetin dhe paqen e Kosovës, si dhe në rrugën drejt integrimit evropian dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Ai theksoi se ka shprehur interesimin që në të ardhmen të ketë edhe më shumë investime suedeze në Kosovë.
Duke folur për çështjen e liberalizimit të vizave Hoxhaj kritikoi situatën e krijuar “të mosvendimeve të brendshme”.
Duke theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë Hoxhaj tha se rezoluta për pezullim ishte një mjet i presionit ndaj Serbisë për ndalimin e ish-kryeministrit Haradinaj. “Edhe në takim me Mogherinin (përfaqësuesja e Lartë e BE-së) dhe me Wallström kam ngritur çështjen se si të kalojmë në një fazë të re të dialogut, e cila duhet të duhej ta mbështetë Kosovën që të anëtarësohet në OKB, do të duhej ta mbështetë Kosovën që të arrin në njohje të dyanshme me Serbinë si dhe një proces të gjatë të pajtimit. Krahas kësaj ne duhet t’i zbatojmë edhe marrëveshjet që i kemi arritur”.
Duke krahasuar gjendjen në Bosnje dhe çështjen e emrit të Maqedonisë mes Shkupit dhe Athinës, Hoxhaj tha se progresin më të madh ka arritur Kosova dhe Serbia.
Kurse së fundi, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me kalimin e rezolutës nga Bordi i UNESCO-s ku kritikohen veprimet e Izraelit në Jerusalem, ministrja Wallström tha se kjo rezolutë është një rezolutë mjaft e mirë e cila sipas saj ka një sërë përmirësimesh nga viti i kaluar. “Shumica e vendeve të botës e kanë përkrahur dhe edhe ne e kemi përkrahur gjithashtu, por fatkeqësisht shtetet anëtare të BE-së kanë qenë të ndarë në këtë drejtim”, tha ajo.
Ndryshe, ministrja suedeze Wallström sot u zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Isa Mustafa, Presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.