Fatjon Cuka
07 Nëntor 2022•Përditësim: 07 Nëntor 2022
Përfaqësuesja e SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Linda Thomas-Greenfield, po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me Presidentin e vendit Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Presidenti Begaj mori sot, gjatë takimit me Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, një mesazh falënderimi dhe mirënjohjeje nga Presidenti Joe Biden për Shqipërinë dhe popullin shqiptar për "bashkëpunimin e fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale".
Në mesazh theksohet se me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Presidenti Biden nënvizon se në vitet e ardhshme dëshirojnë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin strategjik, si dhe do të mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për "një rol më të madh lidershipi, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjetike në Ballkanin Perëndimor".
Në lidhje me takimin Rama-Greenfield, në njoftimin e Kryeministrisë së Shqipërisë thuhet se Kryeministri Rama vlerësoi vizitën e Ambasadores Linda Thomas-Greenfield, "si një moment të rëndësishëm në kuadrin e bashkëpunimit në Këshillin e Sigurimit".
"E vlerësojmë shumë bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit, por edhe faktin që, gjatë gjithë kësaj kohe, jemi vlerësuar për atë çka është reale", është shprehur Rama.
Sipas njoftimit, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Shqipërisë dhe popullin shqiptar.
Gjatë vizitës së saj, ajo do të marrë pjesë edhe në aktivitetin me temë "Gratë, paqja dhe siguria", organizuar nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.