Agim Sulaj
06 Tetor 2023•Përditësim: 06 Tetor 2023
Kontingjenti i parë prej dyqind ushtarësh britanikë mbërriti në Kosovë për të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), transmeton Anadolu.
Në njoftimin e NATO-s bëhet e ditur se dislokimi i trupave britanikë në Kosovë vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon.
“Ushtarët nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit po i bashkohen një kontingjenti prej 400 trupash britanike tashmë në Kosovë. Qeveria rumune më 3 tetor njoftoi se do t’i dërgojë gjithashtu rreth 100 trupa shtesë për të forcuar KFOR-in”, bëhet e ditur në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se këto dislokime janë një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
Ky dislokim, sipas NATO-s, bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut.
Më 10 tetor, Türkiye merr komandën e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).
KFOR-i është misioni më i madh dhe më jetëgjatë i udhëhequr nga NATO-ja me më shumë se 4 mijë trupa nga 27 vende (21 NATO dhe 6 Partnerë) të dislokuar në Kosovë.
KFOR-i është në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.