Fatjon Cuka
27 Mars 2023•Përditësim: 28 Mars 2023
Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen, ka mbajtur një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, integrimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit dhe çështje të tjera, raporton Anadolu.
Gjatë fjalimit në seancën e posaçme, presidenti austriak tha se Austria dhe Shqipëria gëzojnë prej kohësh marrëdhënia shumë të mira.
Ai tha se Austria mbështet integrimin evropian të Shqipërisë dhe e mbështet Shqipërinë që prej 30 vitesh në fushat e shtetit të së drejtës, të drejtat e grave, mbrojtjen e mjedisit dhe në fushën e arsimit.
"Austria ka kohë që mbështet negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat u hapën në korrik të vitit të kaluar. Vendimi i marrë muajt e fundit lidhur me dhënien e statusit si vend kandidat Bosnjë dhe Hercegovinës si dhe mbi liberalizimin e vizave me Kosovën janë në fakt hapa të rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian të këtyre vendeve", tha Van der Bellen.
Ai shtoi se samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë dhjetorin e kaluar fuqizoi edhe më tepër perspektivën evropiane dhe kjo sipas tij “ka një rëndësi të veçantë nisur nga pasiguria e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë”.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Van der Bellen tha se "lufta ruse në Ukrainë nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, por është edhe një sulm mbi botëkuptimin tonë për paqen dhe demokracinë".
Gjatë fjalës së tij, Van der Bellen, theksoi se dënon sulmin me armë ndaj ambienteve të një televizioni privat në Shqipëri.
Presidenti Van der Bellen, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, ndërkohë është takuar me homologun i tij, Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla.