Abdula Berisha
17 Nëntor 2021•Përditësim: 17 Nëntor 2021
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili qëndron për vizitë në Shkup, realizoi takime në Shtabin e Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas pritjes me nderimet ushtarake, gjeneralmajori Begaj realizoi takim me homologun e tij, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, Vasko Gjurçinovski, si dhe me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se në takimin me ministren Shekerinska u theksua rëndësia e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve si fqinj dhe aleatë të NATO-s, përpjekjet e përbashkëta për paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon.
"Ministrja Shekerinska tha se në vizitën e fundit në Maqedoninë e Veriut të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, u hap një kapitull i ri në raportet mes dy vendeve dhe mundësi për bashkëpunim në menaxhimin me krizat, në trajnimet dhe stërvitjet. Nga ana e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Begaj, u shprehën urime për integrimin e shpejtë dhe të suksesshëm ushtarak të Maqedonisë së Veriut në NATO, duke shpresuar që aleanca në NATO do të rezultojë me bashkëpunim të shtuar dypalësh në fushën e mbrojtjes", thuhet në njoftim.
Gjatë takimit mes Gjurçinovskit dhe Begajt gjithashtu u bisedua për bashkëpunimin në sferën e mbrojtjes mes dy vendeve.
"U konstatua se bashkëpunimi i vazhdueshëm ndër-ushtarak është në nivel të lartë dhe i njëjti kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë. Gjurçinovski njoftoi homologun e tij me proceset aktuale transformuese të ushtrisë, si dhe me aktivitetet e mëtejme pas integrimit të plotë ushtarak në NATO, që u rrumbullakua dje me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët për integrim", thuhet në njoftim.
Bashkëbiseduesit gjithashtu folën rreth mundësive për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit si aleatë të NATO-s, veçanërisht në procesin e edukimit ushtarak, si dhe bashkëpunim në sferën operative përmes mbajtjes së aktiviteteve të përbashkëta stërvitore.
Delegacioni shqiptar gjatë takimit zyrtar u njoftua me misionet, procesin e transformimit të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, pjesëmarrjen në misionet paqësore, kapacitetet e poligonit ushtarak "Krivollak", si dhe me format dhe mundësitë e aktiviteteve stërvitore midis dy vendeve.
Begaj gjatë takimit theksoi se si vende fqinje dhe aleate të NATO-s, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjithmonë do të përpiqen të gjejnë mundësi të reja për përmirësimin e bashkëpunimit ushtarak.
Gjatë takimit në Shkup, delegacioni shqiptar realizoi takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut, njëherësh komandant suprem i ushtrisë, Stevo Pendarovski.