Agim Sulaj
12 Shtator 2019•Përditësim: 13 Shtator 2019
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), së bashku me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) kanë mbajtur një takim me temë diskutimi “Arsyet për faktoringun si mjet alternativ për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë", raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë diskutim nga përfaqësuesit e BERZH-it dhe të BQK-së u shpalosën avantazhet e faktoringut në krahasim me financat tradicionale të tregtisë, si dhe përfitimeve që sjell faktoringu për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.
Drejtori i BERZH-it për Kosovën, Neyl Taylor, tha se në Kosovë ende shumë biznese të mesme dhe të vogla përballen me vështirësi në sigurimin e financave dhe se ata për këtë do të mundohen të implementojmë politika dhe rregulla për ta përmirësuar gjendjen.
Taylor tha se rregullorja e faktoringut është projekt i mbështetur nga Qeveria e Luksenburgut, i cili mbyllet sot pas një pune 2-3 vjeçare të udhëhequr nga BQK-ja.
“Presim këtë vit të investojmë rreth 100 milionë në Kosovë, tri të katërtat e të cilave do të shkojnë për sektorin privat dhe ky do jetë vit rekord për bankën dhe mendoj, shenjë e qartë, se me të gjitha ndryshimet që po ndodhin në Kosovë, Kosova mund të jetë vend i mirë për të bërë biznes”, tha Taylor.
Më tej, Taylor shtoi se kanë përvoja me faktoringun dhe se kohëve të fundit kanë bërë program zhvillimor për të arritur vetëdijesimin se çka është faktoringu si shërbim për të cilin, siç tha, BERZH siguron asistencë teknike.
Zv/guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, ka falënderuar BERZH-in dhe Qeverinë e Luksemburgut që kanë mbështetur këtë rregullore, e cila sipas tij është mënyrë profesionale e financimit për operatorët e tregut.
Havolli shtoi se “aprovimi i rregullores për faktoring në Kosovë paraqet një hap të rëndësishëm” dhe se duhet të shfrytëzohet si burim i mirë financimi për afate të shkurtra.
Petrit Balija nga Shoqata e Bankave të Kosovës tha se me këtë rregullore sektori privat dhe ekonomia e Kosovës do të zhvillohet më shumë.
“Aprovimi i kësaj rregullore dhe zbatimi i saj në praktikë është një shembull i shkëlqyeshëm i bashkëveprimit të institucioneve të ndryshme siç është sektori bankar, gjegjësisht shoqata e bankave, rregullatori dhe institucionet ndërkombëtare zhvillimore në Kosovë. Ajo që mbetet për t’u inkuadruar më shumë në këtë formulë të bashkëpunimit është vetë biznesi i cili duhet të informohet më shumë për përparësitë e kësaj mundësie financiare, e cila në shumë raste mund të jetë katalizatori kryesor për zgjerimin e biznesit të tyre”, tha Balija, i cili theksoi se faktoringu duhet të përdoret në masë të gjerë të produkteve dhe nga një numër i madh i institucioneve.
BERZH ka filluar të investojë në Kosovë në vitin 1999. Deri më sot, në Kosovë BERZH ka nënshkruar 65 projekte me vëllim neto të biznesit kumulativ prej 395 milionë eurosh. Kosova u anëtarësua në BERZH dhe kthye në vend të operacioneve në dhjetor 2012.