Edıta Zekjırovıkj
19 Janar 2022•Përditësim: 20 Janar 2022
Në kryeqytetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkup, u zhvillua manifestimi qendror i festës ortodokse Uji i Bekuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Manifestimi filloi me liturgji në kishë, ndërsa më pas, kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, kryepeshkopi Stefan, e hodhi kryqin në ujërat e lumit Vardar.
Këtë vit, 30 persona u zhytën në ujërat e lumit Vardar për të kapur kryqin. Igor Jakimovski, njëri nga pjesëmarrësit, në një deklaratë për media ka bërë të ditur se të gjithë kanë vendosur që këtë vit ta kapin kryqin bashkërisht dhe ai t'u kushtohet të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni, pa fitues individual.
Tradicionalisht, ceremoninë e ndoqën qytetarë të shumtë. Në mesin e qytetarëve në ceremoninë qendrore në Shkup ishin edhe kryeministri i sapozgjedhur Dimitar Kovaçevski dhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska.
Ceremonia e kapjes së kryqit mbahet edhe nëpër shumë vendbanime të tjera në të gjithë Maqedoninë e Veriut.
Sipas besimtarëve ortodoks, hedhja e kryqit do të thotë bashkimi me Jezu Krishtin dhe besohet se ai që arrin të kap kryqin do ta ndjek mirëqenia, shëndeti dhe fati gjatë gjithë vitit. Kjo festë lidhet me pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan dhe Shën Jovani, i cili atëherë quhej Pagëzuesi.
Dita e hedhjes së kryqit – 19 janari, që tradicionalisht organizohet në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, në pajtim me Ligjin për festa të Maqedonisë së Veriut është ditë jopune për besimtarët ortodoks.