Fatjon Cuka
22 Maj 2024•Përditësim: 23 Maj 2024
Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, ka realizuar një vizitë zyrtare Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, raporton Anadolu.
Pas takimit në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama dhe Cameron dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, bashkëpunimin në rajon, emigracionin e parregullt dhe çështje të tjera.
Kryeministri Rama theksoi se kanë folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik, sipas tij, me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për Kosovën, por edhe për rajonin, që është hekurudha Durrës-Prishtinë. Rama shtoi se ky është një projekt në të cilin Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin të përfshihet, qoftë me financimin, qoftë edhe me ekspertizë.
"Sot ne kemi diskutuar për marrëdhëniet tona shumë të mira dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre për të cilin kemi folur, qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO, qoftë edhe në aspektin e marrëdhënieve bilaterale në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë", u shpreh Rama.
Rama tha se kanë folur edhe për programin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe shtoi se janë shumë të kënaqur me rezultatet e arritura.
Kryeministri Rama u shpreh se kanë diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të paqëtimit dhe të bashkëpunimit në rajon.
Cameron theksoi se Shqipëria është vërtet një histori suksesi, duke iu referuar disa zhvillimeve dhe sektorëve.
"Shqipëria është vërtet një histori suksesi nga aspekti ekonomik dhe suksesi në NATO. Në mënyrë të suksesshme keni bërë të pamundurën, një punë të shkëlqyer dhe lidership të madh në Këshillin e Sigurimit (të Kombeve të Bashkuara)", tha Cameron.
Në lidhje me çështjen e emigracionit të parregullt dhe bashkëpunimit me Shqipërinë për këtë çështje, ai tha se ka qenë një partneritet i mrekullishëm pozitiv dhe shumë i arrirë dhe shtoi se beson se do të jetë shembull dhe për të tjerët.
"Në të gjithë Evropën emigracioni i parregullt është një problem me të cilin hasen të gjithë", deklaroi Cameron.
Ai shtoi se kur Ballkani Perëndimor ia del mbanë, atëherë edhe Evropa ia del mbanë. "Nëse ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme edhe në Evropë. Është në interesin tonë të përbashkët të ndihmojnë në procesin e pajtimit, rritjes ekonomike dhe të mirëkuptimit", tha ndër të tjera Cameron.
“Ne kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë, shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për gjithë rajonin. Është në fakt një marrëdhënie shumë pozitive edhe nga aspekti i mbrojtjes, në fushën e mbrojtjes, jo vetëm partneriteti në NATO dhe puna që ne po bëjmë për të arritur anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por edhe në fakt për mbështetjen e drejtpërdrejtë që ne i japim njëri-tjetrit”, tha Cameron.
Ndërkohë, takimi me Presidentin Bajram Begaj është anuluar, sipas autoriteteve shqiptare, për shkak të agjendës së kryediplomatit britanik.