Aleksandar Savanovic
10 tetor 2019•Përditësim: 10 tetor 2019
Në Novi Sad të Serbisë ka filluar takimi trepalësh i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi trepalësh, të cilin e inicoi presidenti serb, Vuçiç mbahet në Pavilionin e oficerit të Kalasë së Petrovaradinit, ndërsa pas përfundimit të mbledhjes, zyrtarët do t’u drejtohen mediave.
Siç është paralajmëruar më herët, tema kryesore e bisedimeve do të jetë lidhja më e mirë e tregut në rajon, ndërsa hapi i parë drejt realizimit të kësaj ideje duhet të jetë nënshkrimi i deklaratës për synimet.
Vuçiç, Rama dhe Zaev për temën diskutuan në mënyrë joformale gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York në shtator. Presidenti i Serbisë atëherë njoftoi se në takimin në Novi Sad do të specifikohen planet për të krijuar një lloj "Shengeni të vogël".
Ai deklaroi se për idenë kishte marrë "konsensusin e plotë" të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Ai gjithashtu synon të shkojë një hap më tej në lidhje me marrëveshjen e CEFTA-s, e cila u vu në dyshim pasi Prishtina vendosi tarifa 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Mbrëmë Rama, Zaev dhe Vuçiç shëtitën nëpër rrugët e Novi Sadit dhe morën pjesë në një darkë të organizuar nga kryeministrja serbe Ana Brnabiç dhe kryetari i komunës së Novi Sad, Milosh Vuçeviç.