Agim Sulaj
28 Dhjetor 2020•Përditësim: 29 Dhjetor 2020
Ministri i Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovë, Anton Quni thotë se ministria që udhëheqë ai megjithë përballjen me sfida të shkaktuara nga pandemia gjatë vitit 2020, ka arritur që t’i përmbushë objektivat dhe detyrat e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Krahas obligimeve të përcaktuara, ministri Quni tha se me sukses është arritur mirëmbajtja dhe avancimi i mëtejmë i aftësive dhe kapaciteteve operacionale aktuale në mbështetje të autoriteteve shtetërore, civile dhe të qytetarëve.
Bazuar në planin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë ushtarake, Quni tha se është shënuar avancim me sukses në krijimin e kapaciteteve funksionale të mbrojtjes së territorit.
“Sukseset tona i vlerësojmë si produkt i angazhimit të përbashkët me partnerët tanë, këshilltarët bilateral, me Ekipin Këshilldhënës të NATO-s dhe me KFOR-in që gjithmonë ishin dhe janë me ne gjatë tërë rrugëtimit tonë”, tha ai.
Ministri Quni tha se në kuadër të këtij tranzicioni janë po ashtu në proces të përmbylljes me sukses të rekrutimit të 400 ushtarëve të rinj, duke ngritur përqindjen e përfaqësimit të komuniteteve në 8 për qind si dhe duke ngritur përqindjen e gjinisë femërore në 11 për qind.
Ai e ka vlerësuar lartë edhe bashkëpunimin e Kosovës me Republikën e Turqisë, ku gjatë vitit 2020 ka qenë për takim zyrtar me homologun e tij turk. Ai tha se Turqia mbetet në top-tre vendet me të cilat kjo ministri bashkëpunon ngushtë.
Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama tha se sa i përket tranzicionit të FSK-së drejtë një force ushtarake e cila parashihet të zgjasë deri më 2028, ka ecur mirë këtë vit edhe pse ka pasur shkurtime buxhetore për shkak të pandemisë së COVID-19.
“(Tranzicioni) është obligim kushtetues dhe ligjor yni. Tani jemi në proces të përmbylljes së fazës së parë që më shumë ka pasur të bëjë me ndërtimin e nivelit komandues, ristrukturim ose ndërtimi i kapaciteteve të reja në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në shtabin e përgjithshëm dhe tani do të kalojmë në fazën e dytë të tranzicionit për të cilin jemi të vetëdijshëm se është shumë më kompleks dhe më sfidues por nuk kam dyshim se do ta arrijmë ta realizojmë edhe këtë sfidë që kemi para vetes”, theksoi Rama.
Në këtë konferencë u bë e ditur se Ministria e Mbrojtjes gjatë vitit 2020 ka pranuar donacione të ndryshme përfshirë automjete taktike, pajisje komunikimi, pajisje mjekësore, pajisje të dominimit, kërkim-shpëtimit, veshmbathje e të tjera, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Turqia, Britania e Madhe dhe Holanda në vlerë prej mbi 5 milionë eurove.