Fatjon Cuka
07 Nëntor 2022•Përditësim: 08 Nëntor 2022
Në Tiranë është organizuar takimi me temë "Gratë, paqja dhe siguria", nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të ndryshëm, përfshirë edhe ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara (OKB), Linda Thomas-Greenfield, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e saj në hapje të aktivitetit, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se bashkëpunimi sipas saj i shkëlqyer në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ka dhënë një kontribut vërtet të qenësishëm "në thellimin e konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuar".
"Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë bashkëpenëmbajtës në dosjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit, por pavarësisht se kjo dosje për arsye të kuptueshme ka marrë vëmendjen më të madhe, bashkëpunimi mes nesh në Këshill ka qenë i shkëlqyer edhe në një sërë fushash e situatash të tjera, njëra prej të cilave është edhe agjenda ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’, e cila padyshim përbën një nga temat më dinamike brenda dhe jashtë OKB-së", tha Xhaçka.
Ajo theksoi se miratimi i rezolutës 1325 mbi "Gratë, Paqen dhe Sigurinë" në tetor 2000 shënoi një moment vërtet historik. Sipas saj, për Shqipërinë zbatimi i plotë i agjendës për "Gratë, Paqen dhe Sigurinë" është në krye të prioriteteve që kanë vendosur për mandatin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
"Gratë po ndihmojnë në ndërtimin e një bote më paqësore"
Ambasadorja e SHBA-së në OKB theksoi se gratë po ndihmojnë në ndërtimin e një bote më paqësore dhe sipas saj sjellin një perspektivë unike dhe të rëndësishme që ndihmon për të çuar përpara proceset e paqes.
"Agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është një agjendë e cila ofron një vizion në të cilin gratë janë të mbrojtura, të përfshira dhe gjithashtu luajnë një rol thelbësor për paqen. Roli ynë është që ta bëjmë këtë një realitet, veçanërisht në një çast kur konfliktet e armatosura kanë një ndikim të shpërpjesëtuar mbi gratë dhe vajzat", tha Greenfield.
Duke u referuar luftës Rusi-Ukrainë, ajo tha se "Në Ukrainë ne kemi parë tmerret e forcave ruse që kanë kryer mizori kundër grave dhe vajzave. Forcat ruse po përdorin përdhunimin si një armë lufte. Duhet të ketë llogaridhënie për të gjithë autorët e krimeve kundër grave dhe vajzave".
Gjatë vizitës së saj në Shqipëri, Greenfield u takua me Presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.