Fatjon Cuka
14 nëntor 2019•Përditësim: 15 nëntor 2019
Në kuadër të aktiviteteve për 75-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është hapur ekspozita me dokumente, fotografi dhe objekte të ndryshme nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, raporton Anadolu Agency (AA).
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, në fjalën përshëndetëse në ceremoninë e hapjes tha se me këtë ekspozitë dëshirojnë të tregojnë "partizanët, njerëzit e thjeshtë, ata të cilët u ngritën në emër të lirisë".

"Muzeu Historik Kombëtar si institucioni më i madh i ndërgjegjes kombëtare çel këtë ekspozitë me fotografi, harta dhe armatime, nga vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kësaj epopeje të rëndësishme të kombit shqiptar. Në ekspozitë gjenden edhe libra të kohës së luftës, si edhe libra të shkruar nga dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët veç aktit heroik të sakrifikimit për lirinë e atdheut na kanë lënë edhe një trashëgimi të çmuar letrare", tha Koçi.
Ai theksoi më tej se "Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjesë e koalicionit të madh antifashist botëror. Duke u renditur në koalicion e madh antifashist shqiptarët treguan edhe një herë që ishin në anën e duhur të historisë".
Në ekspozitën e cila do të qëndrojë e hapur për qytetarët, studentët, por edhe studiuesit deri më datë 30 nëntor do të ekspozohen fotografi, harta dhe armatime, nga vitet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.
Me rastin e këtij përvjetori është organizuar edhe konferenca shkencore ndërkombëtare me temë "Shqiptarët dhe koalicioni antifashist në Luftën e Dytë Botërore". Konferenca e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë synonte të ofrojë dëshmi dhe interpretime të reja për rëndësinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të shqiptarëve.
Shqipëria më 29 nëntor shënon 75-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë, ndërsa gjatë muajt nëntor do të organizohen aktivitete, ekspozita dhe konferenca shkencore nga institucione të ndryshme.