Stipe Majic
09 prill 2019•Përditësim: 10 prill 2019
Ministria e Brendshme e Kroacisë ka njoftuar se në bashkëpunim me njësitin special të policisë së Serbisë, gjatë përpjekjes për të kaluar në Hungari, është arrestuar një nga të arratisurit më të kërkuar në Kroaci, Darjan Jeshovnik, raporton Anadolu Agency (AA).
Njësiti kroat FAST (Fugitive Active Search Team) në bashkëpunim me policinë e Serbisë më 6 prill 2019 në Serbi, ka locuar dhe arrestuar të arratisurin e shumëkërkuar Darjan Jeshovnik, njoftoi MPB-ja kroate.
Jeshovnik është në arrati që nga viti 2011 dhe ndaj tij ishte në fuqi fletë-arresti ndërkombëtar dhe ai evropian (EUN), për dyshimet se ishte pjesë e bandës kriminale, anëtarët e së cilës nga Amerika Jugore kanë kontrabanduar të paktën 718 kilogram kokainë në Kroaci, Slloveni, Spanjë dhe Holandë. Të gjithë anëtarët e këtij grupi janë arrestuar në operacionet e mëparshme policore në Spanjë, Kroaci dhe Serbi, mirëpo Jeshovnik ka arritur të arratiset.
Pas lëshimit të fletë-arrestit ai iku nga vendbanimi i tij në Lubjanë të Sllovenisë dhe u fsheh në disa shtete. Pas një pune të mundimshme të njësitit kroat FAST dhe bashkëpunimit me policitë e Serbisë, Malit të Zi, Sllovenisë, Italisë, Spanjës dhe Holandës, janë shqyrtuar dhe analizuar të gjitha gjurmët që çuan deri në kapjen e tij.
"Locimi dhe arrestimi i Darjan Jeshovnik është përgatitur një kohë të gjatë. Pas një pune operacionale me oficerët policorë të Serbisë u konstatua se ai është duke përdorur identitet të rremë. Me rastin e kalimit nga Serbia në Hungari, ai është ndaluar, identifikuar, pas së cilës u arrestua nga policia serbe të shtunën në ora 18:50", thuhet nga MPB e Kroacisë.